Për Lornën dhe lehtësinë e papërballueshme të baltosjes së një shqiptareje të suksesshme
Dritare.net
Rasti i një drejtueseje shqiptare në një bankë globale si JPMorgan Chase po bën bujë në median shqiptare, pas përkthimit nga disa tabloide të huaja. Por përpara se të nxitojmë me gjykime, duhet të kujtojmë një gjë themelore: kjo është një padi, jo një vendim gjykate.
Në një kohë kur lajmet përfshijnë seksualitet, pushtet dhe racë, është shumë e lehtë që opinioni publik të marrë një anë të menjëhershme: Sa turp kjo shqiptarja!
Ndërkohë që vetë banka ka deklaruar se, pas hetimeve të brendshme, nuk ka gjetur prova që mbështesin akuzat. Kjo nuk do të thotë se e vërteta është zbuluar, por do të thotë se historia është ende e hapur.
Ajo që të shqetëson më shumë është një reagim tjetër: një lloj gëzimi i fshehtë që “një shqiptare e suksesshme po rrëzohet”. Kjo është një refleks i njohur ndër ne.
Lorna Hajdini është një profesioniste që ka arritur në nivele shumë të larta në një nga institucionet më të fuqishme financiare në botë. Dhe rrëzimi publik, sidomos pa një vendim përfundimtar, është gjithmonë më i lehtë sesa ndërtimi i një karriere të tillë.
Prandaj, përpara se të gëzohemi apo të dënojmë, ndoshta duhet të bëjmë një gjë më të vështirë: të presim./dritare.net