Na ndiqni edhe në

Kuriozitete

Pse po shtrenjtohen ushqimet? Arsyeja do t'ju habisë!

Pse po shtrenjtohen ushqimet? Arsyeja do t'ju habisë!


Ekspertët thonë se ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë mes asaj që shohim jashtë dritares, motit ekstrem dhe çmimeve gjithnjë e më të larta në raftet e supermarketeve. Si kushtet ekstreme të motit, ashtu edhe kostoja e ushqimeve janë rritur ndjeshëm vitet e fundit.

Sipas të dhënave të fundit të Indeksit të Çmimeve të Konsumit (CPI), inflacioni në SHBA arriti në 2.7% në qershor 2025, krahasuar me një vit më parë. Rritjet më të ndjeshme u vunë re te produktet bazë si domatet, vezët dhe kafeja. E gjithë kjo ndodhi ndërkohë që vendi përjetoi valë të të nxehtit, uragane dhe përmbytje të rrezikshme.

Një studim i publikuar në revistën shkencore Environmental Research Letters konfirmon se rritja e çmimeve të ushqimeve nuk është rastësi, por lidhet ngushtë me ngjarje ekstreme klimatike. Studimi identifikon 16 raste specifike që nga viti 2022 ku moti ekstrem shkaktoi ulje të prodhimit bujqësor dhe rritje të menjëhershme të çmimeve të ushqimeve.

Shembuj konkretë:
Në vitin 2022, thatësirat në Kaliforni dhe Arizona shkaktuan një rritje prej 80% të çmimeve të perimeve në SHBA, pasi këto dy shtete prodhojnë mbi 40% të perimeve të vendit.
Në vitin 2023, thatësirat në Meksikë çuan në një rritje prej 20% të çmimeve të perimeve në janar të vitit pasardhës.
Në Brazil, mungesa e reshjeve solli rritje prej 55% të çmimeve të kafesë në tregun global.
Në Japoni, valët ekstreme të të nxehtit ndihmuan në rritjen me 48% të çmimit të orizit në vjeshtën e vitit 2024.
Në Britani, dimrat e lagësht çuan në një rritje mbi 22% të çmimit të patateve.
Në Ganë dhe Bregun e Fildishtë, temperatura jashtë normales në shkurt 2024 çuan në një rritje 300% të çmimit global të kakaos deri në prill.
Sipas studiuesve, këto ngjarje janë “të paprecedenta” dhe po shndërrohen në normalitetin e ri, ndërsa klima po ndryshon me ritme gjithnjë e më të shpejta.

Ndikimi social dhe ekonomik
Rritja e çmimeve ushqimore prek më shumë familjet me të ardhura të ulëta, të cilat shpenzojnë përqindjen më të madhe të buxhetit të tyre për ushqime. Sipas një sondazhi të Pew Research Center, dy të tretat e amerikanëve janë shumë të shqetësuar për rritjen e çmimeve.

Profesori i ekonomisë David Ortega thekson se nuk janë vetëm thatësirat problem, por edhe përmbytjet, uraganet, ngricat apo acarimet jashtë sezonit, të gjitha ndikojnë prodhimin bujqësor. Ai përmend shembullin e Floridës, ku prodhimi i agrumeve u godit rëndë nga uraganet e vitit 2024.

Ekonomistët paralajmërojnë gjithashtu se rritja e çmimeve ushqimore po ushqen inflacionin dhe po vështirëson qëndrueshmërinë ekonomike, sidomos në vendet me të ardhura të ulëta. Shkalla e ndihmës sociale si SNAP në SHBA, e lidhur me çmimet, po bëhet më e paqëndrueshme për familjet që e marrin atë.

Pabarazi globale dhe pasiguri politike
Studiuesit thonë se vendet më të varfra janë ato që do të përballen më shumë me pasojat shëndetësore dhe ekonomike të kësaj krize. Ndërkohë që në SHBA apo Evropë kjo përjetohet si inflacion, në vendet në zhvillim mund të shkaktojë krizë ushqimore dhe paqëndrueshmëri politike.

Për më tepër, raporti thekson se çmimet e ushqimeve janë mënyra e dytë më e qartë përmes së cilës po ndihen pasojat e ndryshimeve klimatike në nivel global, menjëherë pas valëve të të nxehtit.

Nevoja për zgjidhje dhe parashikim më të mirë
Shkencëtarët theksojnë se përballja me ndryshimet klimatike nuk është e pamundur. Nevojiten investime në teknologji dhe shkencë, zhvillim të varieteteve bujqësore rezistente ndaj thatësirës dhe sisteme paralajmëruese për fermerët. Aty ku fermerët kanë informacion të saktë për parashikimin sezonal, ata mund të përshtatin zgjedhjet e tyre për mbjellje dhe prodhim.

Por reduktimi i financimeve publike për shkencën dhe motin e bën më të vështirë këtë përshtatje. Ortega paralajmëron se SHBA, për shembull, nuk po ecën në drejtimin e duhur, dhe thekson urgjencën për politika që reduktojnë emetimet e gazrave serrë dhe ngrohjen globale./K.C/dritare.net