Kanabisi në bodrumin e magazinës së Drejtorit të Burgut të Rrogozhinës, shpallet në kërkim
Dritare.net

Një sasi e madhe prej rreth 4 mijë rrënjësh cannabis sativa është zbuluar ditën e sotme në bodrumin e një magazine në fshatin Kurtaj, në Peqin.
Sipas policisë, ambienti ku u gjetën bimët narkotike i përket shtetasit Bilal Hasa, i cili ushtron detyrën e drejtorit të Burgut të Rrogozhinës. Ai është shpallur në kërkim nga autoritetet. Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se gjatë kontrollit janë konstatuar dy ambiente të përshtatura posaçërisht për kultivimin e bimëve narkotike, të pajisura me llamba ndriçimi.
“Gjatë kontrollit, në bodrumin e një magazine, u konstatuan 2 ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave”, thuhet në komunikatën e policisë.
Hetimet kanë zbuluar se ambienti është në pronësi të shtetasit B. H., ndërsa në vijim të veprimeve është shpallur në kërkim edhe shtetasi E. M., me detyrë përgjegjës i OSHEE për zonën e Peqinit, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Zona ku u zbulua sasia e kanabisit është rrethuar nga forcat e policisë, ndërsa grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të rastit.
Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka njoftuar pezullimin nga detyra të Bilal Hasës, deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes nga organet kompetente./K.C/dritare.net