
Kryeministri i Britanisë: Do ta njohim shtetin e Palestinës në shtator!
Dritare.net

Kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi sot se Mbretëria e Bashkuar do të njohë shtetin palestinez në shtator, përpara mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (UNGA), nëse Izraeli nuk ndërmerr hapa domethënës për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza.
Sipas një deklarate të shkruar të shpërndarë nga kabineti i tij pas mbledhjes së qeverisë, Starmer tha se njohja e shtetit palestinez do të bëhet “nëse qeveria izraelite nuk merr masa thelbësore për t’i dhënë fund situatës së tmerrshme në Gaza, nuk arrin një armëpushim, nuk jep garanci se nuk do të ketë aneksim të Bregut Perëndimor dhe nuk angazhohet në një proces paqeje afatgjatë për zgjidhjen me dy shtete”.
Ai theksoi gjithashtu se nuk ka barazi midis Izraelit dhe Hamasit dhe se kërkesat e Mbretërisë së Bashkuar ndaj Hamasit mbeten të pandryshuara: lirimi i të gjithë pengjeve, pranimi i një armëpushimi, heqja dorë nga çdo rol në qeverisjen e Gazës dhe çarmatimi i plotë.
Starmer premtoi se do të bëjë një vlerësim për përmbushjen e këtyre kushteve përpara fillimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe se asnjëra palë nuk do të ketë të drejtë vetoje në këtë vendim./K.C/dritare.net

















