
Miliarda vizitorë të paftuar në jastëkun tonë. Sa shpesh i ndërroni çarçafët ju?
Dritare.net
Jastëkët dhe çarçafët krijojnë kushte ideale për zhvillimin e kërpudhave, baktereve, akareve dhe viruseve. Ekspertët paralajmërojnë se shtrati ynë është një “parajsë” për mikroorganizmat, pasi aty gjenden nxehtësi, lagështi dhe qeliza të vdekura të lëkurës, ushqimi i preferuar i tyre.
Gjatë natës, djersijmë nga koka, derdhim qeliza të vdekura dhe ndonjëherë pështymë. Të gjitha këto ndihmojnë në shumimin e mikrobeve, që mund të shkaktojnë alergji, astmë apo edhe ekzemë. Sipas statistikave, trupi ynë lëshon rreth 500 milionë qeliza të vdekura në ditë.
Rreziku në spitale dhe në shtëpi
Në spitale, ku çarçafët pastrohen rregullisht në temperatura të larta, përsëri janë zbuluar lloje të rrezikshme bakteresh si Staphylococcus dhe C. difficile, të cilat mund të shkaktojnë infeksione serioze, veçanërisht te pacientët me imunitet të dobët.
Por rreziku ekziston edhe në shtëpitë tona. Një kompani amerikane gjeti mbi 3 milionë baktere për inch katror në një jastëk që nuk ishte larë për një javë, 17 mijë herë më shumë sesa një kapak tualeti! Në një tjetër studim, u analizuan gjashtë jastëkë të përdorur dhe të gjithë përmbanin kërpudha, sidomos llojin Aspergillus fumigatus, që zakonisht ndodhet në tokë, por nëse thithet nga njerëz me probleme respiratore, mund të shkaktojë sëmundje të rënda kronike.
Pse jastëkët janë kaq problematikë?
Sipas profesorit britanik të sëmundjeve infektive, Dr. David Denning, arsyeja kryesore është se koka jonë është vazhdimisht e vendosur mbi jastëk gjatë natës, duke e ngrohur atë dhe duke krijuar një klimë ideale për kërpudhat. Për më tepër, shumë rrallë i lajmë jastëkët, çka u jep mundësi kërpudhave të mbijetojnë për vite me radhë.
Edhe kur i lajmë, kërpudhat mund të mbijetojnë në temperatura deri në 50°C, dhe shpesh lagështia e larjes mund ta përkeqësojë problemin.
Kush janë më të rrezikuarit?
Personat me astmë, ata që kanë kaluar tuberkulozin apo sëmundje pulmonare të shkaktuara nga duhani, janë më të ndjeshëm ndaj kërpudhave si Aspergillus. Ekspozimi i vazhdueshëm mund të përkeqësojë ndjeshëm gjendjen e tyre shëndetësore.
Çfarë mund të bëjmë?
-Ndërroni jastëkun çdo 2 vjet nëse jeni i shëndetshëm, ose çdo 3-6 muaj nëse keni probleme me frymëmarrjen.
-Lani çarçafët çdo javë në temperaturë të lartë.
-Hekurosja pas larjes ndihmon në eliminimin e baktereve.
-Mos flini me rroba të papastra, me make-up, kremra apo me kafshë shtëpiake në shtrat.
-Nëse hani në krevat, lani çarçafët edhe më shpesh, ndoshta edhe më shpesh se një herë në javë./K.C/dritare.net

















