
Historia e vajzës që shiti pajën, për të ndërtuar urën në Klos!
Dritare.net
Nëse ndaloni në Klos dhe ecni drejt rrënjëve të historisë së kësaj treve, do të gjendeni përballë një ure që nuk është thjesht një strukturë prej guri, por një rrëfim i gjallë, një gojëdhënë që nuk vdes, një kujtim që u trashëgua nëpër shekuj dhe që sot është kthyer në një atraksion për vizitorët shqiptarë dhe të huaj: Ura e Vashës.
Por, siç rrëfen për DritareTV Inesa Çupa, vajza që sot drejton bujtinën e mirënjohur “Çupa” në këtë zonë, kjo urë nuk e ka pasur gjithmonë këtë emër.
“Ura e Vashës në të vërtetë quhej ‘Ura e Skurës’, dhe është ndërtuar si një vepër bamirësie rreth 300 vjet më parë nga Haxhi Hajrulla Skura, një njeri i njohur i lagjes Mansaj të Gurit të Bardhë. Ishte një urë e rëndësishme që lidhte dy anët e zonës, duke lehtësuar kalimin e njerëzve dhe karvanëve drejt Dibrës dhe më tej.”
Por si u shndërrua “Ura e Skurës” në “Ura e Vashës”?
Përgjigjen na e jep gojëdhëna popullore, ajo që shpeshherë ruan shpirtin e një vendi më mirë se çdo dokument:
Në këtë histori prekëse thuhet se një vajzë nga fisi Skuraj, e mbetur pa martesë në kohë kur kjo konsiderohej fatkeqësi për një familje, nuk arriti dot të krijojë familje sepse, thoshin njerëzit, “nuk e kalonte dot lumin”.
Familja bëri gjithçka për t’ia ndryshuar fatin. Dhe kështu, nga dëshpërimi, vasha shiti pajën e saj, pasurinë që kishte për martesë dhe me ato para ndërtuan urën.”
Ura, me gurët e saj të heshtur, u bë jo vetëm një rrugë për të kaluar lumin, por edhe një simbol i sakrificës, mallëngjimit dhe dëshirës për t’i ndryshuar fatin vetes. Që nga ajo ditë, populli e pagëzoi “Ura e Vashës”, si një përkujtim për atë vajzë që vendosi të bëjë diçka të madhe për të tjerët, ndërsa nuk mundi ta bëjë për veten.
Ura sot është një monument i dashur për vendasit dhe një magnet për turistët. Vizitorë nga Shqipëria dhe e gjithë bota ndalojnë për ta parë, për të bërë foto dhe për të dëgjuar historinë e saj.
DritareTV e sjell këtë histori si pjesë e një reportazhi të veçantë, ku udhëtojmë jo vetëm drejt një ure, por drejt një kulture mikpritëse, ku bujtina “Çupa” na hap dyert për të shijuar gatime tradicionale, rrëfime të sinqerta dhe një peizazh që flet më shumë se fjalët.
Nëse dëshironi të prekeni nga një histori që flet për sakrificë, dashuri për vendin dhe trashëgimi që jeton, Ura e Vashës është një nga ato vende ku legjenda dhe realiteti ecin dorë për dore./K.C/dritare.net

















