
Avokatët e Erion Veliajt: Procesi ndaj tij po kthehet në një farsë publike
Dritare.net
Avokatët mbrojtës të Erion Veliajt i cili ndodhet aktualisht në paraburgim nën akuzat e ngritura nga SPAK, kanë reaguar ashpër ndaj rrjedhjeve të vazhdueshme të informacionit hetimor në media, të cilat, sipas tyre, po dëmtojnë rëndë të drejtën për një proces të rregullt ligjor dhe po e shndërrojnë procedurën penale në një spektakël publik të manipuluar.
Në një deklaratë të plotë, avokatët e Veliajt shprehin shqetësimin e tyre të thellë për atë që e konsiderojnë si një "regres parademokratik", dhe theksojnë se mbrojtja do të dokumentojë çdo shkelje të procedurës dhe standardeve të drejtësisë.
Deklarata e plotë e avokatëve të z. Erion Veliaj:
“Ne, avokatët mbrojtës të z. Erion Veliaj, shprehim shqetësimin tonë të thellë për përpjekjet e përsëritura, për të shndërruar një procedim penal në një gjyq publik spektakolar përmes përdorimit të mediave të lidhura me SPAK dhe shkeljeve flagrante të ligjit, siç është zbulimi i paligjshëm i sekretit hetimor. Artikujt me porosi, të paraqitur si “zbulime ekskluzive”, nuk synojnë zbardhjen e së vërtetës, por ndërtimin e një narrative të gatshme publike përpara se çështja të provohet me fakte në një sallë gjyqi.
Këto ditë, detaje të tjera u nxorën në media, përfshirë edhe lidhur me dëshmitë e dëshmitarëve.
Në një shtet demokratik dhe evropian, drejtësia zhvillohet brenda institucioneve të drejtësisë, jo në tituj gazetash, rrjete sociale apo “seriale kriminale” të prodhuara nga media të kontrolluara përmes rrjedhjeve anonime dhe të paligjshme. Edhe më shqetësuese është fakti që këto rrjedhje ndodhin gjatë fazës së hetimeve paraprake, e cila është nën mbrojtjen e detyrueshme të organit që e administron, prokurorisë. Pikërisht këtu dështimi është i pakundërshtueshëm: jo vetëm që nuk është mbrojtur integriteti i procedurës, por është shkelur rëndë parimi i sekretit hetimor, duke e kthyer procesin në një farsë publike.
Ne po dokumentojmë çdo akt që jo vetëm shtrembëron këtë procedim penal, por që gjithashtu cenon rëndë rendin kushtetues dhe standardet evropiane të drejtësisë mbi të cilat mbështetet rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kjo çështje përfaqëson një regres të dallueshëm dhe të dëshpëruar drejt një epoke parademokratike.
Z. Veliaj është Kryetari legjitim dhe i zgjedhur në mënyrë demokratike i Bashkisë së Tiranës, i votuar nga mbi 160,000 qytetarë. Megjithëse të drejtat e tij, si edhe ato të qytetarëve që ai përfaqëson, mbrohen nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, ai vijon të mbahet në izolim total, nën kushte të ashpra dhe të pajustifikuara kufizuese, që e pengojnë të ushtrojë detyrën e tij si Kryetar Bashkie. Ne jemi të bindur se kur kjo ndjekje penale të vihet përballë një organi të paanshëm gjykimi, ajo do të shembet dhe do të zbulohet për çfarë është në të vërtetë, një ndjekje penale që ka kthyer mbrapsht në mënyrë thelbësore përparimin e Shqipërisë drejt përputhjes me standardet evropiane të drejtësisë dhe shtetit të së drejtës, duke u mohuar njëkohësisht qytetarëve të Tiranës shërbimin e Kryetarit të tyre dhe duke shkaktuar dëm të madh për Tiranën dhe qytetarët e saj.”/L.F-dritare.net

















