Na ndiqni edhe në

Opinione

Zgjidhe shqipen!

Zgjidhe shqipen!

Nga Teuta Toska

E nderuar maturante, i nderuar maturant,
Të nderuar prindër maturantësh,
Po ju them një të vërtetë, që ndoshta nuk e dini. Studimi i gjuhës shqipe pas 10 e pak vjetësh do të jetë një tokë djerrë. Që tani ndihet mungesa e madhe e të rinjve dhe e të rejave që i kushtohen studimit të shqipes. Numërohen me gishtat e dorës, dhe ata më të mirët nuk duan të qëndrojnë këtu. Perspektiva është shumë e trishtë.
Nuk po flas për mësues të gjuhës shqipe, po flas për studiues të shqipes, ata që do të hartojnë fjalorët e së ardhmes, gramatikat, studiuesit e pasurisë së shqipes, të veçorive të saj, ata që do të hartojnë aplikacionet e përkthimit dhe të korrekturës në shqipe, metodat e mësimit të saj, tekstet e gjuhës shqipe për shkollën, ata që do të gërshetojnë studimin e shqipes me metodat teknologjike gjithnjë në zhvillim e përmirësim etj.
Po ndodh një paradoks: shqipja është në periudhën e vet më të hatashme të zhvillimit dhe të pasurimit, dhe interes për studimin e saj ka gjithnjë e më pak.
Ka edhe një paradoks tjetër: në një kohë që shtohen ata që flasin lloj-lloj dënglash për shqipen dhe e shpallin veten zbërthyes të mistereve të saj, ata që duan t'i kushtohen studimit shkencor të saj po rrallohen gjithnjë e më shumë.
Se duhet studiuar shkenca e gjuhës - gjuhësia, dhe kjo nuk bëhet klubeve, portaleve, studiove televizive, profileve në mediat sociale, ose në vetminë e dhomës sate si hobi. Shkencat sot nuk studiohen më në mënyrë autodidakte.
Ti, prind, që bërtet në stadium "oh sa mirë me qenë shqiptar" dhe të shkojnë mornica kur këndohet himni ynë apo të mbushen sytë me lot kur dëgjon "ky është flamuri më i bukur në botë", mos ia prit hovin vajzës ose djalit që duan të zgjedhin të studiojnë shqipen.
Ti, prind, që s'lë 28 nëntor pa var flamurin te ballkoni dhe te kulmi i shtëpisë, kujtohu se është më emocionuese të kesh në shtëpi një studiues/e që të tregon pasuritë e mahnitshme të gjuhës së një populli që ka ruajtur identitetin veç prej gjuhës.
Dhe gjëja e fundit që dua të them, për t'ju nxitur - në një kohë kur Chat GPT duket se do të gllabërojë shumë profesione, kam zbuluar se tekstet që do të prodhojë a përkthejë, do të kenë gjithnjë nevojë për një redaktor dhe korrektor të gjuhës shqipe.
Edhe këtë profesion të fundit nuk e mëson dot pa e njohur gjuhën shqipe shkencërisht.
Kështu që, zgjidhe shqipen!/Marrë nga Facebook-u i autores