
Cila është veshja tradicionale e nuseve të Matit!
Dritare.net
Në Klos, në zemër të Dibrës, traditat nuk janë vetëm kujtime, por vazhdojnë të jetojnë me krenari dhe dashuri. Këtë e tregon bukur Inesa Çupa në dokumentarin e realizuar nga DritareTV, ku përmes mikpritjes në bujtinën e saj dhe rrëfimeve të pasura, na çon pas në kohë, aty ku çdo detaj kishte një kuptim të thellë, sidomos veshja e nuses.
“Kjo që kemi veshur është veshja e nuses së zonës tonë, e përdorur për breza të tërë. Ka shumë elementë të qëndisur me dorë, të trashëguar nga gjyshet dhe nënat. Nuk është thjesht kostum, është histori”, thotë Inesa Çupa për DritareTV.
Veshja përbëhet nga disa shtresa dhe elementë të pasur me simbolikë. Pjesa e sipërme është e zbukuruar me qëndisma të arta dhe ngjyra të ndezura, që përfaqësojnë gëzimin dhe nderin që i bëhej familjes kur një vajzë martohej.
“Kjo veshje nuk blihet. Trashëgohet. Dhe është një nga gjërat më të shtrenjta që ruajnë familjet tona”, tregon Inesa, e cila ka vendosur që në bujtinën e familjes së saj, vizitorët të kenë mundësi të shohin e ndoshta edhe të veshin këto kostume, si një mënyrë për ta çuar përpara kulturën vendase.
Sot, në një kohë kur shumë gjëra janë industrializuar dhe humb identiteti i së shkuarës, ruajtja dhe promovimi i veshjeve tradicionale është një akt që mbart peshë të veçantë kulturore./K.C/dritare.net

















