Djali që nuk emigroi, por ndërtoi parajsën buzë Shushicës
Dritare.net
Kur përmendet Vlora, mendja shkon menjëherë te deti, plazhet dhe bregdeti. Por larg zhurmës së qytetit dhe itinerareve të zakonshme turistike, përgjatë Lumit të Vlorës, fshihet një tjetër botë: pyll, ujë i freskët, gatime në saç, prodhime të shtëpisë dhe një fermë familjare e ngritur mes natyrës.
DritareTV udhëtoi drejt Kotës, për të zbuluar një vend që deri pak vite më parë ishte thuajse i gjithi pyll. Sot, mes pemëve të egra dhe gurëve që janë lënë pothuajse të paprekur, familja ka krijuar hapësira për vizitorët, tavolina me pamje nga lumi dhe një shteg që të çon deri buzë ujit.
“E gjithë kjo ka qenë pyll. Nuk ka pasur dalje në lumë. Daljen në lumë e kemi bërë ne më vonë”, tregon Ronaldo Çuçaj. Filozofia e familjes Çuçaj ka qenë që ndërhyrjet të jenë sa më të pakta. Edhe gurët e mëdhenj janë ruajtur aty ku ndodheshin dhe janë shndërruar në pjesë të ambienteve ku ulen vizitorët.
Por ajo që e bën të veçantë fermën nuk është vetëm peizazhi. Në kuzhinë, gatimi vazhdon sipas traditës. Byreku përgatitet me lakra të egra të mbledhura në bahçe, petët hapen me dorë, ndërsa gatimet në saç janë detyrë e të zotit të shtëpisë. Në familje, secili ka rolin e vet.

Edhe rakia që u ofrohet miqve është prodhim i tyre. Familja ka vreshtat e veta dhe rrushin e përdor për raki, të cilën e prodhon vetë në fermë. Në ditët e zierjes mund të bëhen deri në tre apo katër kazanë.

Pas kësaj bujtine qëndron edhe historia e Ronaldos. Ai e nisi punën vetëm 14 vjeç si kamarier në zonën e Karaburunit, më pas studioi menaxhim turizmi dhe punoi për vite në këtë sektor, përfshirë katër vite si menaxher. Por gjatë gjithë kësaj kohe kishte një tjetër ide në mendje: të ndërtonte diçka të tijën, pikërisht në tokën e familjes.
Pas rreth tetë vitesh pune në një restorant në Karaburun, vitin e kaluar ai nisi paralelisht projektin familjar. Këtë vit vendosi të shkëputej plotësisht nga puna e mëparshme dhe t'i kushtohej fermës.
“Gjithmonë e kam pasur në mendje këtë pjesën këtu”, tregon ai. Investimi i deritanishëm, sipas tij, është bërë me të ardhurat nga puna e tij dhe e familjes.

Dhe planet nuk mbarojnë këtu. Synimi është ndërtimi i dhomave prej druri për fjetje dhe i një ambienti të mbyllur që ferma të funksionojë edhe gjatë dimrit. Më tej, Ronaldo mendon për guida me kuaj dhe mjete për eksplorimin e zonës, duke i çuar turistët në vende që ende mbeten pak të njohura.
Në fakt, turistët e huaj duket se e kanë zbuluar këtë cep të Vlorës më shpejt nga sa mund të mendohet. Familja tregon se vizitorët vijnë kryesisht përmes Google-it dhe vlerësimeve të lëna online. Mes të huajve dominojnë gjermanët, çekët dhe italianët. Ata kërkojnë pikërisht atë që ofron zona: qetësinë dhe natyrën.
Paradoksi është se rruga, e cila aktualisht është në proces për t'u asfaltuar, shqetëson më shumë shqiptarët sesa turistët e huaj. Sipas familjes, të huajt shpesh preferojnë ta bëjnë një pjesë të rrugës në këmbë dhe e shohin atë si pjesë të aventurës.
Dhe në fund të shtegut është surpriza tjetër: Lumi i Vlorës. Familja ka krijuar një urë të vogël prej druri dhe ka vendosur çadra buzë lumit, ku vizitorët mund të pushojnë dhe të bëjnë plazh. Hapësira është e lirë edhe për ata që nuk konsumojnë në fermë.
“Ne pa pagesë i kemi. Kush do hajë lart dhe ata që nuk hanë mund të bëjnë plazh pa problem”, tregon Ronaldo.

Në një kohë kur shumë të rinj e shohin emigrimin si rrugëdalje, Ronaldo ka zgjedhur të kundërtën. Ai thotë se nuk e ka menduar largimin nga Shqipëria dhe se, që kur nisi të punonte i vogël, synimi i tij ka qenë të ndërtonte diçka në vendin e vet.
“E kam pasur gjithmonë synimin që gjërat e mia t’i ndërtoj këtu, jo jashtë vendit”, thotë ai.
Nga një pyll i egër në një fermë familjare, nga puna 14-vjeçar si kamarier te ëndrra për të krijuar një destinacion agroturistik, kjo është historia e një tjetër Vlore. Jo asaj të resorteve dhe plazheve të mbushura, por e Vlorës së fshehur mes maleve dhe lumit, ku një familje po përpiqet ta kthejë natyrën, traditën dhe punën e vet në një arsye më shumë për ta vizituar zonën./dritare.net