Na ndiqni edhe në

Histori Shqipërie

Një baxho në Jug e ndërtuar në shpellë

Shpella Vajzë, pranë qytetit antik të Amantias në Vlorë, është kthyer në një nga destinacionet më të veçanta turistike të jugut të Shqipërisë. Gazetarja e DritareTV, Lorena Fjolla, sjell historinë e tre vëllezërve që, me punë dhe përkushtim, kanë ndërtuar një biznes familjar në zemër të një shpelle natyrore, historia e Shpellës Vajzë!

Nga një baxho e vogël, Shpella Vajzë është shndërruar në një punishte moderne bulmeti, restorant tradicional dhe hapësirë mikpritëse që tërheq vizitorë nga e gjithë Shqipëria dhe turistë të huaj. Produktet e bulmetit përgatiten çdo ditë me qumësht të fermerëve të zonës, duke ruajtur shijen tradicionale dhe standardet moderne.

Përveç gatimeve dhe produkteve vendase, Shpella Vajzë ofron edhe një natyrë mbresëlënëse, me freskinë e shpellës, ujëvarën, gjelbërimin dhe ambientet karakteristike që e bëjnë vizitën një përvojë të veçantë.

Gjithçka është ndërtuar me kursimet e 30 viteve punë. Pa mbështetje të jashtme, me shumë sakrifica, me kredi kur ishte e nevojshme dhe me një bindje të vetme: të investonin vazhdimisht në vendin e tyre.

Në fund të vizitës mbetet një ndjesi që nuk lidhet vetëm me peizazhin.

Shpella Vajzë është prova se turizmi nuk ndërtohet vetëm nga natyra. Ai ndërtohet nga njerëzit që dinë ta respektojnë atë.

Është historia e një familjeje që nuk u largua nga fshati, por zgjodhi ta zhvillojë atë.

Është historia e një biznesi që u rrit pa humbur thjeshtësinë./dritare.net