Na ndiqni edhe në

Histori Shqiptare

Trokitëm derë më derë në Përmet, kështu i pret qyteti i trëndafilave mysafirët

Trokitëm derë më derë në Përmet, kështu i

Në Përmet, dera e shtëpisë nuk mbyllet kurrë para mysafirit. Këtë e provuan Lorena dhe Eda nga Dritare TV, të cilat trokitën derë më derë në qytetin e trëndafilave për të zbuluar nga afër mikpritjen e njohur të përmetarëve.

Ndalesa e parë ishte byrektorja e Migenës, ku që herët në mëngjes tavat dalin plot nga furra: byrek me gjizë, me lakra, me presh, me domate dhe mesniku tradicional i Përmetit. Migena e bën punën me shumë dashuri dhe tregon se si e ka ngritur biznesin e saj. Për turistët e huaj që trokasin gjithnjë e më shpesh në derën e saj, ajo ka përgatitur edhe prezantimin në anglisht: “Hi, my name is Migena, this is my bakery”.

Më pas, rrugicat me kalldrëm dhe muret prej guri i çuan në shtëpitë e vjetra të qytetit. Një zonjë në moshë i priti me derë të hapur dhe tregoi me krenari për familjen, fëmijët dhe nipërit e mbesat. Oborret me pemë e rrush, portat e harkuara dhe shtëpitë e gurta plotësuan pamjen e një qyteti ku çdo derë ka një histori.

Në Përmet, mikpritja nuk është thjesht zakon. Është mënyrë jetese që përcillet brez pas brezi dhe që e bën këtë trevë një nga perlat e turizmit shqiptar.

Shikoni udhëtimin e plotë në Dritare TV./dritare.net