
Juristi: Katër arsye pse i humbi zgjedhjet, Sali Berisha!
Dritare.net
Juristi Romeo Kara vijon kritikat e forta ndaj Sali Berishës dhe humbjes së tij në zgjedhjet e 11 majit, duke e cilësuar opozitën si të padenjë për të fituar. Në intervistën për emisionin “Dekalog” të Roland Qafokut në DritareTV, Kara argumentoi se humbja ishte e merituar dhe e paralajmëruar.
“E para, ata nuk e meritonin të fitonin. Vunë një shprehje shumë të neveritshme kur thanë: rotacioni është i shenjtë. Ne duam të ecim përpara apo të shkojmë mbrapa?” – deklaroi Kara, duke shtuar se retorika e opozitës ishte denigruese dhe regresive.
Ai solli në vëmendje gjuhën e përdorur nga eksponentë të opozitës gjatë fushatës, duke e quajtur “rrugaçëri të nivelit më të ulët”, veçanërisht në Vorë, ku sipas tij, figura si Flamur Noka e të tjerë e banalizuan diskursin publik.
“E treta, nuk kanë moral. Berisha shiti ekonominë e piramidave si arritje, dogji vendin dhe i shkaktoi mbi 3.000 të vrarë me politikat e tij të drejtpërdrejta. Pas ‘97-ës kemi parë një rrëshqitje të madhe, me strukturat shtetërore të kapura nga krimi. Vetëm në vitin 1997, vendit iu shkaktuan mbi 60 miliardë dollarë dëme dhe një çmenduri kolektive”, u shpreh ai.
Sipas Karës, Berisha kishte një mundësi historike për të ndërtuar demokracinë në Shqipëri, por e vrau atë duke kthyer Partinë Demokratike në një “klan familjar”. Ai e cilësoi Berishën dhe rrethin e tij të ngushtë si një nga “organizatat më të mëdha kriminale në Evropë”.
“Berishës iu dha shansi historik për të vendosur demokraci edhe e vrau demokracinë sepse e kthehu partinë në një klan familjar. Berisha dhe klani i tij janë një organizatë kriminale e madhe, nga më të mëdhatë në Evropë. Këtë të vërtetë që them unë e pranojnë të gjithë shqiptarët. Gjithë qeverisja e tij duke filluar që nga medalja e Arsidi, me atë kompaninë Shqiponja dhe te krimet kundër njerëzimit. Berisha e ka drejtuar Shqipërinë nëpërmjet frikës dhe njerëzit thoshin: “Me Berisha mos u merr se Berisha të vret.”, përfundoi Kara.
Deklaratat e forta të juristit vijnë në një moment kritik për opozitën shqiptare, që po përballet me krizë të thellë legjitimiteti dhe organizimi./K.C/dritare.net

















