
Operacioni ‘Ura’/ Karteli italo-shqiptar me 3 organizata, Gjykata e Parisit urdhëroi përgjimet e SKY ECC, një dekadë gjurmime!
Dritare.net

Operacioni 'Ura' i organizuar mes Italisë, Shqipërisë, Antimafias së Barit dhe organeve të tjera ligjzbatuese ndërkombëtare çoi në shkatërrimin e 3 organizatave kriminale të fuqishme të narkotrafikut, mes të cilëve dy italiane dhe një shqiptare.
Janë lëshuar 52 urdhër-arreste, nga të cilat 42 të ekzekutuara, 2 masa detyrim paraqitjeje dhe një në arrest shtëpie.
Por ajo që bie në sy nga detajet e aksionit, nga dosja e Antimafias, është fakti se karteli bëhet përgjegjës për 3,5 tonë drogë heroinë, kokainë, marihuanë dhe hashash të sekuestruar apo trafikuar që nga nisja e hetimeve në vitin 2016, nëpërmjet dekriptimit dhe përgjimit të bisedave telefonike apo mesazheve të shkëmbyera nga rrjeti nëpërmjet platformës së koduar Sky ECC kryesisht, por edhe të tjerave.
Dhe urdhri për këto përgjime është lëshuar jo nga një prej vendeve ku kryhej ky trafik, por nga Gjykata e Parisit në Francë, e cila ka bashkëpunuar me hetimet.
“Një risi e këtij hetimi përfaqësohet nga përdorimi, midis burimeve të provave, i bisedave të koduara nga platforma Sky ecc, të fituara me Urdhra Hetimi Evropian nga Gjykata e Parisit. Mesazhet, pasi u deshifruan nga hetuesit e DIA-s së Barit dhe u ndanë me oficerët e SPAK-ut të Tiranës, u analizuan me kujdes dhe u kryqëzuan me rezultatet e tjera të hetimit, duke lejuar që akuzat për krim të ngriheshin si në DDA të Barit ashtu edhe në Autoritetin Gjyqësor Shqiptar”, informohet për përmbajtjen e dosjes nga mediat italiane.
Një tjetër episod sipas hetimeve, ka qenë pagesa e 500 mijë eurove për një ngarkesë të konsiderueshme kokaine nga Guayaquil në Ekuador (500 kg). Hetimet u intensifikuan mes viteve 2021-2022. Heroina vinte nga Turqia dhe kokaina nga Ekuadori.
“Hetimet komplekse, të kryera me përgjime telefonike, përgjime mjedisore, regjistrime video dhe shërbime vëzhgimi, mbrojtjeje dhe kontrolli, të mbështetura nga ekstrapolimi dhe analiza e bisedave të koduara të marra nga platforma Skyecc, si dhe nga deklaratat e tre bashkëpunëtorëve të drejtësisë”, thuhet në dosjen hetimore.
Dhe më tej episodi i shit-blerjes:
“Hetuesit kanë rindërtuar gjithashtu disa dërgesa parash për të paguar drogën, të cilat u zhvilluan në Bari, për shuma që tejkalonin gjysmë milioni euro, transferimin e mbi 500 mijë dollarëve nga Shqipëria në Amerikën Latine, të cilat do të ishin paguar si paradhënie për blerjen e një sasie prej 500 kilogramësh kokainë të dërguar nga Guayaquil (Ekuador), por edhe episode të dyshuara të abuzimit me detyrën që ndodhën në territorin shqiptar”.
Në Bari ishin ngritur laboratorë artizanalë përgatitjeje të lëndëve narkotike, prerje, ndarje, paketim dhe shitje. Organizata bëhet përgjegjëse për 2 tonë kokainë në portin e Roterdamit (Holandë); 932 kilogramë kokainë në portin e Gioia Tauro (Reggio Calabria); prej 400 kilogramësh Hashish në Noicattaro (Bari), si dhe sasive të tjera të shpërndara me mbi 300 kg.
Operacioni u nis nga Drejtoria e Qarkut Antimafia e Barit dhe Zyra e Prokurorit të Posaçëm për Parandalimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Tiranës, me koordinimin e Eurojust (Hagë) dhe Drejtorisë Kombëtare Antimafia dhe Antiterrorizëm të Romës.
Masat paraprake kundër 12 italianëve dhe 40 shqiptarëve, të urdhëruar për t'u mbajtur në burg (49), në arrest shtëpiak (1) dhe nën detyrimin për t'u paraqitur në Policinë Gjyqësore (2), u zbatuan, në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar, në Shqipëri në qytetet e Durracit, Shkodrës, Tiranës, Fierit, Vlorës, në Itali në Bari dhe provincën e saj, Oria (Br), Matera, Frosinone, Torino, Kozencë, Trent, Komo, Kremona dhe Pomezia (Romë), si dhe në Belgjikë./shqiptarja.com

















