
Zbulohet Bisha e Durrësit. Kush është Adi Çoba, truri i rrjetit ndërkombëtar të drogës!
Dritare.net
Adi Çoba, i njohur me nofkën "Bisha", është identifikuar si drejtuesi kryesor i një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës, i cili u godit në kuadër të operacionit të përbashkët Shqipëri-Itali të koduar “Ura”. Sipas hetimeve të autoriteteve italiane dhe shqiptare, Çoba drejtonte aktivitetin kriminal nga Durrësi, duke koordinuar transportin e sasive të mëdha të kokainës dhe heroinës nga Shqipëria dhe Holanda drejt Italisë, e më tej në vende të tjera të Bashkimit Evropian.
Në dosjen hetimore, ai përmendet me disa pseudonime, përfshirë “Bisha”, “i shëndoshi” dhe “Bazholi”. Çoba organizonte dërgimin e korrierëve përmes linjave tokësore ndërkombëtare dhe përdorte aplikacione të koduara si SKY ECC për të komunikuar me bashkëpunëtorët e tij në Itali. Ai gjithashtu menaxhonte kthimin e parave të përfituara nga trafiku i drogës në Shqipëri, duke përdorur rrugë të ndryshme për të futur shumën në vend.
Operacioni “Ura” çoi në lëshimin e 52 urdhër-arresteve, nga të cilat 42 u ekzekutuan, përfshirë edhe ndaj Çobës. Në këtë operacion u përfshinë edhe figura të tjera si avokatë, policë dhe zyrtarë të tjerë, të cilët dyshohet se ndihmonin në aktivitetin kriminal. Në kuadër të hetimeve, autoritetet sekuestruan edhe lokalin “Felix Vinum” në Durrës, i cili dyshohet se përdorej për pastrimin e parave të përfituara nga aktiviteti kriminal./K.C/dritare.net

















