
Ilir Beqja: Tri probleme me procesin tim gjyqësor
Dritare.net
Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja parashtroi sot tri aspekte të procesit të tij gjyqësor që janë në thelb të gabuara dhe nuk kanë lidhje me të.
"Kërkoj mirëkuptimin tuaj për tre aspekte që do të parashtroj në vijim, të cilat më kanë shtyrë t’i ngre pas seancës së kaluar.
Së pari, do t’i kërkoja kësaj gjykate të nderuar, por meqenëse tashmë seanca është publike, edhe të gjithë atyre që e ndjekin dhe janë të interesuar të përcjellin informacion mbi këtë çështje, që të kenë parasysh: kjo nuk është as “Çështja e sterilizimit”, as “Kontrata e sterilizimit”, as “Koncesioni i sterilizimit”. Është e vërtetë që ekziston një keqkuptim dhe një keqperceptim publik që prej 9 vitesh. Rëndom përdoret fjala “sterilizim”, por vetë titulli i kontratës flet për furnizimin e setit të instrumenteve kirurgjikale. Italia fqinje, nga ku është huazuar kjo përvojë, e quan në gjuhën e vet: “Gestione integrata dello strumentario chirurgico”, që do të thotë “menaxhimi i integruar i instrumentarit kirurgjikal”. Sterilizimi është vetëm një nga gjashtë komponentët e këtij shërbimi të integruar që realizon kontrata. Prandaj, do t’ju lutesha të gjithëve që të pranonim që kjo është çështja e instrumenteve kirurgjikale. Nëse e pranoni këtë konstatim, ju ftoj që ta përdorni si të tillë edhe në komunikimin publik.
Së dyti, si gjatë seancës paraprake, ashtu edhe në vijim, gjykata i referohet kësaj çështjeje si “çështja Ilir Beqaj dhe të tjerët”. Edhe pse kjo mënyrë komunikimi mund të përçojë nënkuptimin që shpesh e pranojmë në mënyrë të pavetëdijshme – se qëllimi i akuzës është Ilir Beqaj dhe të tjerët janë thjesht plotësues – dua të theksoj se akuzat janë individuale, edhe në rastet kur flitet për bashkëpunim. Madje, në kopertinën e volumit 1 të fashikullit gjyqësor, emri im është i fundit në listën me 9 të pandehur. Prandaj, do t’i kërkoja Gjykatës të shmangte përdorimin e togfjalëshit “Ilir Beqaj dhe të tjerët”. Unë besoj në pafajësinë time në këtë çështje, por po aq e rëndësishme është që çdo pafajësi do të vendoset individualisht. Nuk do të deklarohet që “Ilir Beqaj dhe të tjerët janë të pafajshëm”, por secili do të vlerësohet në mënyrë të veçantë.
Së treti, po i drejtohem avokatit Maksim Haxhia në cilësinë e Kryetarit të Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë. Për fat të mirë, z. Haxhia e njeh këtë çështje tashmë prej 20 muajsh. Në emër të Dhomës së Avokatisë, së fundmi ka shprehur në publik shqetësimet e institucionit ndaj SPAK dhe GJKKO. Nuk është as vendi dhe as koha që unë të ndaj opinionin tim mbi SPAK-un, GJKKO-n apo Dhomën e Avokatisë, por do t’i kërkoja z. Haxhia që, pa lënë mënjanë shqetësimet ndaj SPAK dhe GJKKO, të mbajë në vëmendje edhe sjelljen e avokatëve të Dhomës së Avokatisë të cilët Gjykata i cakton kryesisht në çështje të ndryshme.
Për mua, qëndrimi i avokatit A.P. në seancën e kaluar, ku deklaroi se ishte gati të merrte përsipër mbrojtjen time, ishte qëndrim befasues. Kjo çështje është hetuar për 50 muaj. Seanca paraprake ka zgjatur 9 muaj. Fashikulli i gjykimit përmban 602 volume dhe mbi 250,000 faqe. Avokati A.P. nuk bëri asnjë përpjekje për të më takuar për 2 javë. Është e pamundur që në një afat kaq të shkurtër ndonjë avokat të njihet me një dosje të tillë voluminoze dhe të marrë përsipër mbrojtjen, pa u takuar asnjëherë me të akuzuarin.
Edhe pse mbrojtja ligjore falas që mundëson shteti është një arritje e rëndësishme demokratike, nëse ajo realizohet në mënyrë joprofesionale, ajo bëhet praktikisht e pavlefshme."/K.C/dritare.net

















