Fluksi masiv i emigrantëve në Ceuta, Spanja mobilizon ushtrinë
Dritare.net

Spanja ka vendosur të forcojë sigurinë në enklavën e saj të Ceutës, në Afrikën e Veriut, pas një fluksi të madh migrantësh që tentuan të kalonin nga Maroku drejt territorit spanjoll.
Sipas raportimeve, mijëra persona hynë në Ceuta pasi kaluan kufirin detar duke notuar, ndërsa të paktën 15 persona humbën jetën gjatë përpjekjes për të arritur në territorin spanjoll.
Ministria e Brendshme e Spanjës ka njoftuar se forcat e armatosura do të mbështesin Gardën Civile në garantimin e sigurisë në Ceuta. Autoritetet lokale kanë kërkuar ndërhyrjen e qeverisë qendrore, duke paralajmëruar se qendrat e pritjes janë mbingarkuar dhe se situata po rëndon ndjeshëm mbi kapacitetet lokale.
Mediat spanjolle raportojnë se rreth 2 mijë deri në 3 mijë persona mund të kenë hyrë në Ceuta gjatë së enjtes, megjithëse shifra nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet.

Situata ka shkaktuar gjithashtu tensione politike brenda Evropës. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka deklaruar se qeveria e saj po shqyrton masa të jashtëzakonshme, përfshirë mundësinë e kufizimit të lëvizjes së lirë në kuadër të zonës Schengen me Spanjën. Ajo e ka cilësuar emigracionin e pakontrolluar si një kërcënim konkret për sigurinë e kufijve evropianë.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm spanjoll José Manuel Albares ka kritikuar deklaratat italiane, duke i cilësuar ato si të papërshtatshme dhe duke kërkuar solidaritet evropian përballë krizës.
Ceuta dhe Melilla janë dy enklavat spanjolle në Afrikën e Veriut dhe përbëjnë të vetmet kufij tokësorë të Bashkimit Evropian me kontinentin afrikan. Situata e fundit ka rikthyer në vëmendje krizën e migracionit dhe sfidat e sigurisë në kufijtë jugorë të Evropës./L.F-dritare.net