Qeveria shpërblen Forcat e Armatosura, një pagë mujore për luftën kundër zjarreve
Dritare.net

Qeveria ka vendosur të shpërblejë me një pagë mujore personelin e Forcave të Armatosura që u angazhua në operacionet për shuarjen e zjarreve gjatë vitit 2026. Vendimi i Këshillit të Ministrave parashikon që shpërblimi të llogaritet mbi bazën e pagës mujore bruto të secilit punonjës, si vlerësim për kontributin në përballimin e emergjencave.
Për zbatimin e këtij vendimi janë planifikuar mbi 154 milionë lekë nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa edhe njësitë e vetëqeverisjes vendore do të shpërblejnë me një pagë mujore personelin e tyre të angazhuar në shuarjen e zjarreve.
"V E N D I M PËR SHPËRBLIMIN E PERSONELIT TË ANGAZHUAR NË OPERACIONET PËR SHUARJEN E ZJARREVE GJATË VITIT 2026
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpërblimin e personelit të Forcave të Armatosura të angazhuar për shuarjen e zjarreve gjatë vitit 2026, në masën e 1 (një) page mujore.
2. Njësitë e vetëqeverisjes vendore, të cilat do të angazhojnë personel në varësi për shuarjen e zjarreve gjatë vitit 2026, do të shpërblejnë personelin e përfshirë, në masën e 1 (një) page mujore. Efektet financiare do të përballohen nga buxhetet përkatëse të njësive të vetëqeverisjes vendore.
3. Shpërblimi llogaritet mbi bazën e pagës mujore bruto të punonjësit të angazhuar në operacionet e shuarjes së zjarreve.
4. Efektet financiare për personelin e strukturave të Forcave të Armatosura, sipas pikës 1, të këtij vendimi, llogariten në vlerën prej 154 281 120 (njëqind e pesëdhjetë e katër milionë e dyqind e tetëdhjetë e një mijë e njëqind e njëzet) lekësh, të cilat përballohen nga buxheti i planifikuar për Ministrinë e Mbrojtjes, përkatësisht, 115 710 840 (njëqind e pesëmbëdhjetë milionë e shtatëqind e dhjetë mijë e tetëqind e dyzet) lekë në programin buxhetor “Forcat e luftimit”, 33 941 846 (tridhjetë e tre milionë e nëntëqind e dyzet e një mijë e tetëqind e dyzet e gjashtë) lekë në programin buxhetor “Mbështetja e luftimit” dhe 4 628 434 (katër milionë e gjashtëqind e njëzet e tetë mijë e katërqind e tridhjetë e katër) lekë në programin buxhetor “Emergjencat civile”.
5. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.", thuhet në vendim./K.C/dritare.net