Babë e bir ekzekutohen në Dukagjin, mbi 50 plumba drejt fuoristradës
Dritare.net

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Dukagjinin, ku babë e bir, Lekë dhe Prel Gjoni, u ekzekutuan me breshëri kallashnikovi, ndërsa një person tjetër mbeti i plagosur.
Ngjarja ndodhi në fshatin Mgull, ku dy viktimat po udhëtonin me fuoristradë në drejtim të Shkodrës. Autorët u zunë në pritë në një kthesë pranë fshatit Xhan dhe qëlluan me rreth 50 plumba drejt automjetit.
Lekë dhe Prel Gjoni humbën jetën në vend, ndërsa Lazër Bashi, i cili ndodhej në sediljen e pasme, mbeti i plagosur. Pas marrjes së ndihmës së parë në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ai u transportua drejt Tiranës për trajtim më të specializuar.
Policia dyshon se në atentat kanë marrë pjesë disa persona, të cilët pas krimit dyshohet se janë larguar me një fuoristradë. Disa kilometra larg vendit të ngjarjes është gjetur një automjet i djegur, që dyshohet se është përdorur nga autorët.
Një nga pistat kryesore të hetimit është gjakmarrja, pasi familja Gjoni dyshohet se ka pasur një hasmëri të hershme. Megjithatë, grupi hetimor po shqyrton edhe pista të tjera për të zbardhur motivin dhe autorët e këtij atentati të rëndë./K.C/dritare.net