Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Si do funksionojë "Pasqyrë Albania", platforma për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve!

Një platformë e re për komunikimin me qytetarët dhe zgjidhjen e problemeve të tyre do të jetë në qendër të qasjes së re të qeverisë. “Pasqyrë Albania”, platforma e prezantuar nga kryeministri Edi Rama në Pogradec, do të funksionojë përmes dy sektorëve, “Flamingo Albania” dhe “Radar”.

“Flamingo Albania” do të mbledhë të gjitha problematikat e qytetarëve që nuk kanë marrë zgjidhje nga administrata. Ankesat dhe kërkesat do të kalojnë në këtë sistem për t’u adresuar tek institucionet përgjegjëse.

Ndërsa “Radar” do të shërbejë për gjurmimin e tyre. Qytetari do të mund të kontrollojë në çdo moment se ku ndodhet ankesa, cili institucion po e trajton dhe në çfarë faze është zgjidhja e saj.

Synimi është që problematikat e qytetarëve të marrin zgjidhje brenda dy javësh, duke krijuar njëkohësisht një komunikim më të drejtpërdrejtë mes ministrive, bashkive dhe drejtorive të përgjithshme.

Pikërisht këtë mekanizëm kryeministri e përshkroi një ditë më parë në Pogradec si një sistem ku çdo hall apo kërkesë e qytetarit do të mund të ndiqet njësoj si një pako postare.

“Ambicia është që më herët se vonë të arrijmë në pikën që çdo kërkesë, çdo shqetësim e hall i qytetarit i drejtuar institucioneve të jetë si pako postare, statusi i së cilës ndiqet në kohë reale nga dërguesi”, tha Rama teksa prezantonte “Pasqyrë Albania”.

“Pasqyrë Albania” ishte një prej pikave kryesore të takimit 7-orësh që Rama zhvilloi të dielën në Pogradec me 12 drejtuesit politikë të qarqeve dhe kryetarët e komisioneve parlamentare.

Në tryezë ishin edhe dy dokumentet “Besa” dhe “Prania Besnike”, pjesë e asaj që socialistët e konsiderojnë një mënyrë të re komunikimi me qytetarët në mandatin e katërt.

Platforma e re rikthen në një formë tjetër një nismë të ndërmarrë nga qeveria edhe më herët. Në vitin 2018 u prezantua portalin e Bashkëqeverisjes me "Shqipëriaqëduam.al", me synimin për të adresuar ankesat dhe problematikat e qytetarëve me administratën./shqiptarja.com