Rama reagon pas videos së Arjan Konomit: Ka edhe një video tjetër që tregon krejt të kundërtën
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot në rrjetet sociale pas publikimit të një videoje nga Arjan Konomi lidhur me një incident të ndodhur në rrugë.
Në një postim në Instagram, Rama pretendon se një tjetër video e ngjarjes tregon një version krejt të ndryshëm nga ai i paraqitur nga Konomi.
“Ja që për fat të mirë ka edhe një video tjetër, e cila tregon krejt të kundërtën e videos që një dhunues i lirisë së të tjerëve paska vrapuar të tregojë botërisht”, shkruan Rama.
Kryeministri e akuzon Konomin se ka paraqitur veten si viktimë dhe se ka bullizuar një grua dhe fëmijën e saj. Rama pretendon se ngjarja “u zhvillua krejt ndryshe nga rrëfimi në pasqyrë” dhe se versioni i publikuar në rrjetet sociale ishte një “gënjeshtër e madhe”.
Në vijim të reagimit, Rama e lidh rastin edhe me atë që e cilëson si përhapjen e dezinformatave në rrjetet sociale.
“Fatmirësisht këtë herë ka një video demaskuese të gënjeshtrës, po imagjinojeni se sa herë të tjera gënjeshtra bën kërdinë mbi të vërtetën nëpër pasqyrat ku kujtojmë se informohemi”, përfundon kryeministri.