Ja si vdiqën në aksident drejtuesja e Dior dhe producenti i famshëm!
Dritare.net

Mathilde Favier, drejtoresha e marrëdhënieve me publikun e Christian Dior Couture, dhe partneri i saj, producenti francez Nicolas Altmayer, humbën jetën të hënën, më 17 gusht, rreth orës 16:00, në rrugën RD 938 pranë Airvault, në departamentin Deux-Sèvres.
Makina e tyre u përplas me një kamion që vinte nga drejtimi i kundërt. Raportimet e para thanë se makina e çiftit po parakalonte, por informacioni më i ri i Prokurorisë së Niort thotë se, kamioni dyshohet se devijoi nga korsia e tij, kaloi vijën e pandërprerë dhe pjesa e përparme e djathtë e kamionit goditi anën e majtë të makinës së çiftit.
Shoferi 32-vjeçar i kamionit mohon këtë version dhe pretendon se makina e çiftit devijoi drejt tij. Testet e alkoolit dhe drogës rezultuan negative. Ai është paraqitur para gjykatës dhe është hapur hetim për vrasje të pavullnetshme gjatë drejtimit të mjetit. Pra, përgjegjësia përfundimtare ende nuk është përcaktuar.

Kush ishte Mathilde Favier?
Mathilde prej vitit 2011 drejtonte marrëdhëniet publike të Dior Couture. Më parë kishte punuar në botën e revistave të modës, te Prada dhe Chanel.
Ajo ishte më shumë sesa një drejtuese komunikimi: konsiderohej ura e Dior-it me yjet botërorë, ndër ta Céline Dion, Rihanna, Natalie Portman, Jennifer Lawrence, Lady Gaga, Taylor Swift dhe Rosalía. Ishte gjithashtu autore e librit “Mathilde à Paris”, kushtuar elegancës, shtëpive dhe jetës pariziane.
Mathilde la pas dy fëmijët e saj, Héloïse dhe Carlo Agostinelli, nga martesa e mëparshme me financierin Robert Agostinelli; nënën e saj; motrat e saj, përfshirë Victoire de Castellane, drejtoreshë artistike e bizhuterive Dior, dhe Pauline Favier-Hénin; familjarë, miq dhe ekipin e saj në Dior.
Djali, Carlo, 26 vjeç, shkroi se ajo ishte “superheroina” e tyre dhe i premtoi se ai dhe Héloïse do të kujdeseshin për njëri-tjetrin: “Mos u shqetëso për ne, mama… Pusho e qetë, Mamounette. Do të të dua gjithmonë.”

Nicolas Altmayer ishte 61 vjeç, baba i katër fëmijëve dhe një nga producentët më të rëndësishëm të kinemasë franceze. Me vëllain Éric drejtonte Mandarin & Compagnie dhe kishte prodhuar OSS 117, Brice de Nice, Saint Laurent, Monsieur Aznavour dhe dhjetëra filma të tjerë.
Për Mathilde kanë shkruar drejtuesit e Dior dhe LVMH, Delphine dhe Bernard Arnault, Jonathan Anderson, Céline Dion, Marion Cotillard, Carla Bruni, Cristina Cordula dhe shumë emra të tjerë. Ndërsa Nicolas është përshëndetur nga Jean Dujardin, François Ozon, Franck Gastambide, Celine Dion dhe bota e kinemasë franceze.
Mesazhi emocionues i vajzës së saj!
"Mamaja ime. Bota ime. Përjetësia ime.
Frika ime më e madhe u bë realitet. Ti nuk je më. Nuk kam fjalë për të shprehur vuajtjen që po përjetoj. Kemi kaluar kaq shumë gjëra së bashku. Si të jetoj pa ty? Si të mësoj të buzëqesh përsëri pa ty?
Ti ishe mamaja më e mirë. Na doje mua dhe Karlon më shumë se çdo gjë në botë. Shpresoj me gjithë shpirt që, kudo që të jesh, ta kuptosh boshllëkun që na le duke u larguar.
Ti nuk do të më shohësh kurrë të martohem dhe nuk do t’i njohësh kurrë fëmijët e mi. Por dije se vajza ime do të quhet Mathilde. Ajo do të ketë sytë e tu, buzëqeshjen dhe gëzimin tënd për jetën. Do të jetë vajza më me fat, sepse do të ketë një yll të madh mbi kokë, që do të kujdeset për të dhe për të gjithë ne. Dhe e di se do të jesh ti ajo që do të ma dërgojë.
Unë dhe Karlo nuk do të dorëzohemi. Ti ke rritur një burrë të madh, me një forcë dhe guxim që më mahnitin. Ai është dhurata më e bukur që mund të më kishe bërë.
Ky është vetëm fillimi i shumë letrave dhe fjalëve që do të të shkruaj gjatë gjithë jetës sime, deri në ditën kur do të kem fatin e jashtëzakonshëm të gjendem përsëri pranë teje.
Hëna dhe dielli shkëlqejnë kaq fort që kur ti u largove. Të dua më shumë se gjithçka në botë, Moon-i im i vogël.
U prehsh në paqe, engjëlli im i përjetshëm, pranë Nicolas-it, burrit që e deshe deri në fund dhe që, e di, ishte marrëzisht i dashuruar me ty.
Të dua, të dua, të dua… Nuk do ta them kurrë mjaftueshëm.”/ Dritare.net