Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

U martuan të dielën, ky është çifti i ri që humbi jetën tragjikisht në aksident!

Vetëm pak ditë pasi kurorëzuan dashurinë e tyre në martesë, 25-vjeçari Kleo Vrioni dhe 26-vjeçarja italiane Sara Brugentelli humbën jetën tragjikisht në një aksident të rëndë në Manëz të Durrësit.

Çifti ishte martuar këtë të diel, por vetëm pak ditë më vonë udhëtimi i tyre përfundoi në tragjedi. Sipas policisë, Kleo Vrioni humbi kontrollin e automjetit që drejtonte dhe u përplas me një bordurë betoni.

Përplasja ishte fatale për 25-vjeçarin dhe bashkëshorten e tij, Sara Brugentelli, 26 vjeçe, shtetase italiane. Në aksident humbi jetën edhe 15-vjeçari Alvi Muhaxhiri. Të tre ndërruan jetë në vendngjarje.

Dy persona të tjerë mbetën të plagosur. 26-vjeçari Rejsi Vrijoni dhe një 16-vjeçar me inicialet K. D. u transportuan drejt Tiranës për mjekim të specializuar. Sipas të dhënave paraprake, 16-vjeçari ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se të rinjtë po ktheheshin nga një lokal nate në zonën e Maminasit. Paraprakisht dyshohet se automjeti po lëvizte me shpejtësi, ndërsa grupi hetimor po punon për të përcaktuar shkaqet e sakta të aksidentit.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë përmasat e rënda të përplasjes. Automjeti është shkatërruar plotësisht, ndërsa pjesë të tij janë shpërndarë në rrugë dhe përreth bordurës ku ndodhi përplasja.

Makina është larguar më pas me karrotrec, ndërsa policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit tragjik.

Një martesë e sapokurorëzuar u kthye kështu në një tragjedi të rëndë, duke i marrë jetën çiftit të ri dhe 15-vjeçarit që udhëtonte me ta./dritare.net