Ish-ministri ukrainas sfidon Zelensky-n: Kërkon zgjedhje presidenciale në kohë lufte
Dritare.net
Ish-ministri ukrainas i Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, ka kërkuar zhvillimin e zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë, pavarësisht se vendi ndodhet ende nën ligjin ushtarak. Thirrja e tij shihet si një nga sfidat më të forta ndaj presidentit Volodymyr Zelensky që nga nisja e pushtimit të plotë rus.
“Demokracia nuk mund të mbahet peng nga Rusia”, deklaroi Fedorov në një video të publikuar në YouTube, duke argumentuar se Ukraina po lufton pikërisht për të mbetur një shtet i lirë dhe europian.
Ukraina ndodhet nën ligj ushtarak që prej nisjes së pushtimit rus në vitin 2022, ndërsa Kushtetuta nuk lejon zhvillimin e zgjedhjeve gjatë kësaj periudhe. Mandati pesëvjeçar i Zelenskyt përfundoi në maj të vitit 2024, por zgjedhjet presidenciale nuk janë zhvilluar për shkak të luftës.
Fedorov, 35 vjeç, u shkarkua papritur nga posti i ministrit të Mbrojtjes muajin e kaluar, vetëm gjashtë muaj pasi ishte emëruar. Largimi i tij shkaktoi protesta në disa qytete të Ukrainës dhe u shoqërua me tensione politike brenda udhëheqjes së vendit.
Gjatë qëndrimit në detyrë, Fedorov u vlerësua për modernizimin e Ministrisë së Mbrojtjes, luftën kundër korrupsionit dhe përdorimin e teknologjisë dhe të dhënave për përmirësimin e operacioneve në front. Ai kishte qenë më herët ministër i Transformimit Digjital dhe luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e programeve ukrainase për dronët dhe luftën teknologjike.
Fedorov nuk e përmendi drejtpërdrejt Zelenskyn në videon e tij, por foli për një “krizë sistemike të qeverisjes” në Ukrainë dhe tha se vendi nuk duhet të ketë frikë nga ndryshimi.
Ai kërkoi krijimin e një mekanizmi “ligjor, të sigurt dhe realist” që do t’i mundësonte Ukrainës të rikthente procesin demokratik edhe në kushtet e një lufte të zgjatur.
Thirrja ka shkaktuar reagime të ndryshme në Ukrainë. Disa komentatorë, madje edhe persona që kishin mbështetur rikthimin e Fedorovit në postin e ministrit të Mbrojtjes, kanë argumentuar se zgjedhjet gjatë luftës janë praktikisht të pamundura për t’u zhvilluar në mënyrë të sigurt dhe të drejtë.
Edhe Zelensky ka deklaruar më herët se Ukraina është e gatshme të zhvillojë zgjedhje nëse aleatët garantojnë sigurinë e procesit. Por organizimi i një votimi të lirë në një vend që përballet me bombardime të vazhdueshme ruse, ndërsa miliona ukrainas ndodhen jashtë vendit ose janë zhvendosur brenda territorit, do të paraqiste vështirësi të mëdha.
Ndërkohë, vetëm disa orë para deklaratës së Fedorovit, Zelensky konfirmoi se kishte kërkuar nga parlamenti të miratonte Yevhenii Khmara si ministër të Mbrojtjes.
Thirrja e ish-ministrit vjen në një moment të ndjeshëm për Ukrainën, e cila po intensifikon sulmet me dronë ndaj objektivave në territorin rus, ndërsa vazhdon të përballet me sulme të fuqishme ruse në territorin e saj./K.C/dritare.net