Turizmi po rritet, por fermeri shqiptar po mbetet jashtë tryezës
Dritare.net

Shqipëria po mbushet me turistë, hotele dhe restorante. Por, ndërsa numri i vizitorëve rritet, fermat shqiptare po zvogëlohen dhe ushqimet që vendosen në tryezën e turistëve po vijnë gjithnjë e më shumë nga importi.
Kjo është një nga kontradiktat më të mëdha të zhvillimit të sotëm shqiptar: kemi turizëm, kemi bujqësi, kemi blegtori, por nuk kemi krijuar ende urën që duhet t’i bashkojë.
Në shtatë muajt e parë të vitit 2026, Shqipëria importoi rreth 606 mijë tonë produkte ushqimore, afro 69 mijë tonë më shumë se një vit më parë. Pra, importet u rritën me rreth 13 për qind. U rrit importi i drithërave, perimeve, frutave, mishit, bulmetit, vezëve dhe mjaltit.
Në të njëjtën kohë, bujqësia dhe blegtoria shqiptare po japin shenja tkurrjeje. Gjatë vitit 2025, numri i deleve ra me 7,4 për qind, i derrave me 28,2 për qind dhe i shpendëve me 0,5 për qind. Prodhimi i qumështit u ul, ndërsa prodhimi i vezëve ra me 5,8 për qind. Prodhimi vendas i grurit u ul me 10,1 për qind dhe ai i patates me 7,2 për qind. Të dhënat e publikuara nga Monitor.
Kjo do të thotë se turistët po shtojnë konsumin në Shqipëri, por paratë e tyre nuk po shkojnë sa duhet te fermeri shqiptar. Ato po përfundojnë te importuesi.
Çfarë do të fitonte Shqipëria?
Nëse bujqësia dhe blegtoria do të përgatiteshin për nevojat e turizmit, çdo turist do të shndërrohej në një klient të fermerit shqiptar.
Hoteli do të blinte vezët dhe qumështin nga fermat përreth. Restoranti do të merrte mishin, djathin, perimet, frutat, vajin dhe verën nga prodhuesit vendas. Fermeri do të kishte treg të sigurt, ndërsa turisti do të provonte shijen e vërtetë të Shqipërisë.
Kështu, një euro e shpenzuar nga turisti nuk do të mbetej vetëm në hotel. Ajo do të kalonte te fermeri, blegtori, baxhoja, transportuesi, punishteja e përpunimit dhe familja që jeton në fshat.
Turizmi do të bëhej një motor për gjithë ekonominë, jo vetëm për ndërtimin e hoteleve dhe apartamenteve në bregdet.
Por hotelet dhe restorantet nuk mund të furnizohen rastësisht. Ato kërkojnë sasi të garantuara, standard të njëjtë, siguri ushqimore, ambalazhim dhe dërgesa të rregullta. Një fermer i vetëm, me një sipërfaqe të vogël dhe pa frigorifer, magazinë apo transport, nuk mund ta përballojë këtë kërkesë.
Këtu duhet të hyjnë kooperimi, pikat e grumbullimit, zinxhiri frigoriferik, kontratat sezonale dhe mbështetja publike. Fermerët mund të mbeten pronarë të tokës dhe prodhimit të tyre, por duhet të bashkohen për grumbullimin, përpunimin dhe shitjen.
Rreth 85 për qind e tokës së kultivuar në Shqipëri përbëhet nga ferma të vogla familjare, me një madhësi mesatare prej vetëm 1,2 hektarësh. Pikërisht fragmentarizimi, mungesa e infrastrukturës dhe vështirësia për të plotësuar standardet po e pengojnë prodhimin vendas të hyjë në tregun e madh të turizmit. FAO dhe Kombet e Bashkuara në Shqipëri
Shembulli është pranë nesh
Në agroturizmet që funksionojnë sipas modelit “nga ferma në tryezë”, turisti nuk shkon vetëm për të ngrënë. Ai sheh tokën ku rritet perimja, fermën ku prodhohet qumështi, mënyrën si bëhet djathi dhe traditën që qëndron pas një recete.
Pikërisht këtu ushqimi bëhet përvojë turistike dhe fiton më shumë vlerë.
Një kilogram domate i shitur me shumicë ka një çmim të ulët. Por e njëjta domate, e shërbyer në një gatim tradicional, në fermën ku është prodhuar dhe e shoqëruar me historinë e vendit, krijon disa herë më shumë të ardhura.
Në Austri, siç kemi treguar edhe në ciklin e Dritare TV “Gjëja e gjallë na mban gjallë”, fermeri nuk është i shkëputur nga tregu. Prodhimi planifikohet, kontrollohet, grumbullohet dhe arrin rregullisht te restoranti, hoteli apo supermarketi. Teknologjia e ndihmon fermerin të prodhojë më shumë dhe me standard të qëndrueshëm, ndërsa bashkëpunimi i siguron tregun.
Shqipëria nuk ka nevojë të kopjojë verbërisht Austrinë apo fqinjet, por duhet të kuptojë parimin: turizmi, bujqësia dhe blegtoria nuk mund të zhvillohen si tri ekonomi të ndara.

Çështje kombëtare, jo vetëm ekonomike
Lidhja e turizmit me prodhimin vendas është shumë më tepër se një çështje tregu. Ajo përcakton nëse fshati do të jetojë apo do të braktiset; nëse të rinjtë do të gjejnë punë në vendlindje apo do të largohen; nëse Shqipëria do të ruajë racat vendase, farërat, recetat dhe peizazhin rural.
Nëse në një hotel shqiptar mëngjesi përgatitet me vezë, qumësht, djathë, mish dhe fruta të importuara, turisti ka fjetur në Shqipëri, por nuk e ka shijuar Shqipërinë.
Dhe vendi ka humbur mundësinë që paratë e tij të shpërndahen në ekonominë vendase.
Mesazhi i Dritare TV
Shqipërisë nuk i mjafton të numërojë turistët që hyjnë në kufi. Duhet të numërojë sa produkte shqiptare konsumojnë ata, sa fermerë mbahen në punë dhe sa familje jetojnë nga kjo kërkesë e re.
Turizmi duhet të ushqejë fshatin shqiptar, ndërsa fshati shqiptar duhet t’i japë turizmit shijen dhe identitetin që nuk mund të importohen.
Sepse, nëse turistët shtohen, ndërsa fermat dhe bagëtitë pakësohen, ne nuk po ndërtojmë një ekonomi turistike shqiptare. Po ndërtojmë vetëm një treg më të madh për ushqimet e vendeve të tjera. Ne Dritare TV jemi perpjekur te tregojme sa me shume shembuj dhe do vijojme ta bejme, duke ju dedikuar jo vetem turizmit, por blegtorise me nje cikel te tere dhe se shpejti edhe bujqesise./ dritare.tv