Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Nuk u luajt himni shqiptar në Pustec, Rama: Parodi e nacional-folklorizmit ballkanik

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas incidentit të ndodhur në një festival folklorik në Pustec, ku gjatë ceremonisë u luajt vetëm himni maqedonas dhe jo himni shqiptar.

Në një reagim të publikuar sot, Rama e cilësoi ngjarjen si “një parodi domethënëse” për mënyrën se si perceptohen marrëdhëniet dhe identitetet në këtë pjesë të Europës.

Kryeministri theksoi se kryetari i Bashkisë së Pustecit, Pali Kolefski, kishte kërkuar paraprakisht që në aktivitet të luhej edhe himni shqiptar, por kërkesa e tij ishte injoruar. Sipas Ramës, Kolefski më pas kërkoi ndjesë për një situatë që nuk ishte përgjegjësi e tij.

Rama e vlerësoi qëndrimin e kryebashkiakut të Pustecit, duke e cilësuar atë si “shtetar dhe qytetar të denjë të Shqipërisë Europiane”, ndërsa nënvizoi rëndësinë që qeveria shqiptare i jep komuniteteve minoritare.

“Për Shqipërinë minoritetet nuk janë statistikë, por pasuri kombëtare, dhe qytetarët minoritarë nuk janë numra, por vëllezër e motra me të njëjtat liri dhe të drejta si të gjithë ne”, shkroi Rama.

Në reagimin e tij, kryeministri u ndal edhe te aktivitetet që i cilësoi si shfaqje të “nacional-folklorizmit ballkanik”, duke deklaruar se ato nuk përbëjnë kërcënim për sovranitetin e Shqipërisë apo për ekuilibrat politikë në vend.

Rama shprehu gjithashtu keqardhjen për atë që e quajti “cirk të lashtë flamujsh në epokën e Inteligjencës Artificiale”, duke kritikuar edhe reagimet nacionaliste që shfaqen në rrjetet sociale pas incidenteve të tilla.

Në përfundim, kryeministri apeloi për ruajtjen e vlerave europiane dhe për të mos iu përgjigjur provokimeve me të njëjtën monedhë.

“Shqipëria, Europa e Ballkanit, kurrsesi nuk mund t’ia lejojë dhe nuk do t’ia lejojë vetes ta zbresë monedhën e vlerave të saj në nivelet e parodisë së Pustecit”, u shpreh Rama./L.F-dritare.net