Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ndahet nga jeta në moshë të re aktorja shqiptare

Është ndarë nga jeta aktorja dhe ish-prezantuesja e njohur Rezana Çeliku, e cila u bë e njohur për publikun shqiptar përmes disa roleve në kinemanë shqiptare dhe eksperiencës së saj në televizion.

Çeliku u shfaq në ekran në një periudhë kur kinemaja dhe televizioni shqiptar kishin një ndikim të jashtëzakonshëm te publiku. Edhe pse nuk kishte studiuar për aktrim, natyrshmëria, komunikimi dhe prezenca e saj bënë që regjisorët ta përzgjidhnin për disa role.

Ndër interpretimet e saj spikasin roli i partizanes në “Ata ishin katër”, “Shokë të një skuadre”, si dhe roli në filmin “Një djalë dhe një vajzë”, ku interpretoi një personazh që për kohën ishte konsideruar mjaft i guximshëm.

Në një intervistë të dhënë vite më parë, Rezana Çeliku rrëfente se roli në “Një djalë dhe një vajzë” e kishte vënë përballë edhe paragjykimeve të kohës.

“Pas atij roli, e ndjeva shumë peshën e opinionit paragjykues”, rrëfente ajo, duke kujtuar edhe vështirësinë e disa skenave të filmit.

Përveç kinemasë, ajo kishte një eksperiencë të rëndësishme edhe në Televizionin Shqiptar, ku prezantoi festivale dhe programe televizive. Ajo kujtonte veçanërisht një prej festivaleve ku kënga fituese ishte “Nënë moj do pres gërshetin” e Vaçe Zelës.

Karriera e saj televizive do të ndërpritej pas një incidenti në studion e grimit. Çeliku tregonte se kishte harruar të hiqte nga priza aparaturën që përdorte për bigudinat e flokëve. Pajisja ishte dëmtuar dhe incidenti u konsiderua aq serioz sa ndaj saj u përdor edhe termi “sabotim”.

Por pas largimit nga ekrani, ajo ndërtoi një tjetër rrugëtim profesional. E diplomuar në Ekonomi dhe Juridik, Çeliku punoi për vite në Bashkinë e Tiranës, në fushën e marrëdhënieve me publikun.

Në intervistën e saj, ajo fliste edhe për jetën personale dhe për një dhimbje që e shoqëroi gjatë gjithë jetës.

“Pengu më i madh i jetës sime është mungesa e një fëmije”, shprehej Rezana Çeliku.

Ajo tregonte se, pasi kishte kaluar të 50-at, e konsideronte tashmë tepër vonë për ta ndryshuar të kaluarën.

Sot, me ndarjen e saj nga jeta, publiku shqiptar humbet një prej atyre figurave që, edhe pse nuk patën një karrierë të gjatë në kinematografi, mbetën gjatë në kujtesën e shikuesve përmes roleve dhe prezencës së tyre në ekran.

Rezana Çeliku do të kujtohet për personazhet që interpretoi, për ekranin e televizionit shqiptar dhe për një jetë artistike që, ndonëse e shkurtër, la gjurmë.