Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

At Stath Melani, prifti dhe komandanti që u ekzekutua për gjuhën shqipe!

maxresdefault (1).webp


Në episodin e radhës të emisionit “Dekalog” në DritareTV, gazetari Roland Qafoku sjell historinë e vrasjes së At Stath Melanit, pjesë e ciklit të bazuar në librin e tij “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar”.

At Stath Melani ishte njëkohësisht prift ortodoks, patriot dhe komandant çete. Ai u ekzekutua në mënyrë makabre më 24 dhjetor 1917, në prag të Krishtlindjes, ndërsa udhëtonte drejt fshatit të lindjes për të mbajtur meshën.

I lindur më 18 shtator 1858 në Melan të Përmetit, At Stathi u bë një nga mbrojtësit më të vendosur të gjuhës dhe çështjes kombëtare shqiptare. Në dhjetor të vitit 1912, Ismail Qemali e caktoi komandant të çetave në zonën e Përmetit, me detyrën për të mbrojtur popullsinë nga sulmet e andartëve grekë.

Për aktivitetin e tij kombëtar ishte burgosur dy herë: në vitin 1909 nga autoritetet osmane dhe në vitin 1915 nga rebelët e Haxhi Qamilit, pasi mbështeste Princ Vidin dhe shtetin shqiptar.

Përplasja me despotin grek për gjuhën shqipe
Në vitin 1917, pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, At Stath Melani mbajti meshën në gjuhën shqipe. Ky veprim zemëroi despotin grek Spiridon, i cili e thirri dhe i kërkoi që Ungjilli të lexohej vetëm në greqisht.

Por prifti shqiptar nuk u tërhoq dhe iu përgjigj:

“Shqiptarët merren vesh me Zotin më mirë me shqipen sesa me greqishten. Pastaj Zoti i di të gjitha gjuhët, pse të mos dijë edhe shqipen?”

At Stathi ishte paralajmëruar se jeta e tij ndodhej në rrezik. Nëntë muaj përpara vrasjes, miku i tij Ikonom Kozma Ikonomi e këshillonte në një letër që të mos ndahej nga arma, pasi armiqtë po përgatiteshin ta eliminonin.

Prita e tre shqiptarëve
Më 24 dhjetor 1917, rreth orës 15:30, At Stath Melani u nis i vetëm nga Përmeti drejt Melanit. Ai udhëtonte mbi një mushkë dhe do të drejtonte meshën e Krishtlindjes në fshatin e tij.

Në vendin e quajtur Balta e Kuqe, pranë Lipivanit, tre persona të armatosur i kishin ngritur pritë. Ata ishin Josif Soropulli, Josif Stërmbeci dhe Vangjel Radimishti, tre shqiptarë të vënë në shërbim të qarqeve antishqiptare greke.

Vrasësit hapën zjarr dhe e lanë të vdekur në vend priftin 59-vjeçar. Ata vranë edhe mushkën me të cilën udhëtonte. Më pas, me një sëpatë, i prenë kokën At Stathit dhe e dërguan atë në Greqi si provë të ekzekutimit.

Krimi synonte të godiste jo vetëm një njeri, por atë që At Stath Melani përfaqësonte: gjuhën shqipe, shtetin shqiptar dhe përpjekjen për pavarësimin e Kishës Ortodokse Shqiptare.

Reagimi i Fan Nolit
Vrasja e At Stath Melanit shkaktoi tronditje të madhe. Në mars të vitit 1918, Fan Noli shkroi për të:

“S’ka zemër shqiptare të mos pikëllohet, s’ka sy shqiptar që të mos lëshojë lumë lotësh për të ndjerin, të pavdekshmin, hero dhe dëshmor të madh të Shqipërisë, At Stath Melani.”

Banorët e Përmetit e morën trupin e tij, e mbështollën me flamurin shqiptar dhe e shoqëruan drejt Kishës së Shën Kollit, ku iu bënë nderimet e fundit.

Hakmarrja ndaj kreut të vrasësve
Tre vjet pas krimit, më 13 dhjetor 1920, Thanas Budo ekzekutoi Josif Soropullin, kreun e grupit që vrau At Stath Melanin. Ngjarja ndodhi në Postenan, pranë Përmetit dhe Leskovikut.

Dy vrasësit e tjerë, Josif Stërmbeci dhe Vangjel Radimishti, arritën t’i shpëtonin ndëshkimit. Edhe sot mbeten pikëpyetje për organizatorët e vërtetë të atentatit, personat që e urdhëruan dhe rolin e përfaqësuesve të Kishës Greke në këtë krim.

Vite më vonë, shteti shqiptar e njohu At Stath Melanin si dëshmor dhe vendosi të mbështeste financiarisht familjen e tij.//E.P/dritare.net