Na ndiqni edhe në

Kosova dhe Rajoni

Ngjarja që tronditi Malishevën/ 26-vjeçari dyshohet se vrau gruan 8-muajshe shtatzënë, mister plagosja e tij


Një ngjarje e rëndë ka tronditur Malishevën në Kosovë, ku një grua shtatzënë ka humbur jetën pasi u plagos me armë zjarri, ndërsa bashkëshorti i saj, i cili gjithashtu mbeti i plagosur, është personi i dyshuar për vrasjen.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së dielës, në fshatin Kërvasari të Malishevës. Sipas Policisë së Kosovës, rasti u raportua rreth orës 23:20, pas njoftimit për një plagosje me armë zjarri.

Njësitë policore mbërritën në vendngjarje dhe gjetën në një dhomë gjumi dy persona të plagosur, një burrë dhe bashkëshorten e tij. Të dy u dërguan për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në rast. Rreth orës 01:10, Policia u njoftua nga QKUK-ja se gruaja kishte ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.

Sipas të dhënave të publikuara nga QKUK-ja, viktima ishte 25 vjeçe dhe në javën e 34-t të shtatzënisë. Ajo mbërriti në Qendrën Emergjente pa shenja jete dhe pavarësisht përpjekjeve të ekipit mjekësor për ta reanimuar, nuk mundi t’u mbijetonte plagëve.

Edhe bashkëshorti i saj, 26 vjeç, kishte marrë plagë nga arma e zjarrit. Ai është intubuar dhe është vendosur në respirator, ndërsa gjendja e tij është raportuar shumë e rëndë, kritike dhe jo stabile.


Prokuroria Themelore në Gjakovë ka bërë të ditur se personi i dyshuar për vrasjen e gruas është bashkëshorti. Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes dhe, me urdhër të tij, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ku do të kryhet autopsia.

Rasti është iniciuar për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.


Deri tani, autoritetet nuk kanë bërë të ditur motivin e ngjarjes dhe nuk kanë dhënë një version përfundimtar se si janë shkrepur armët.

Fakti që të dy bashkëshortët u gjetën të plagosur në të njëjtën dhomë dhe se një armë zjarri u sekuestrua në vendngjarje është pjesë e provave që po shqyrtohen nga hetuesit.

Prokuroria, në koordinim me Policinë e Kosovës, ka njoftuar se po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për të ndriçuar plotësisht rrethanat e rastit dhe për të siguruar provat relevante.

Hetimet pritet të përcaktojnë mënyrën se si ndodhi ngjarja, rrethanat që çuan në përdorimin e armës dhe motivin e mundshëm.

Deri në përfundimin e hetimeve dhe vendimin e gjykatës, bashkëshorti mbetet i dyshuar dhe jo i dënuar për veprën penale./dritare.net