Gjergj Bojaxhi: Ja çfarë zbulon ADN-ja për shqiptarët!
Dritare.net

Kush janë shqiptarët dhe nga vijnë? Një studim i ri gjenetik, i publikuar në revistën shkencore “Nature Human Behaviour”, sjell të dhëna të rëndësishme për një nga debatet më të mëdha të historisë shqiptare.
Studimi me titull “Ancient DNA evidence for the history of the Albanians” është realizuar nga një ekip ndërkombëtar, ku bën pjesë edhe studiuesi shqiptar Gjergj Bojaxhi. Gjetjet u diskutuan prej tij në emisionin “Dekalog”, të drejtuar nga gazetari Roland Qafoku në DritareTV.
Për realizimin e studimit janë analizuar më shumë se 6 mijë gjenome të lashta nga Ballkani dhe Euroazia Perëndimore, si dhe 74 mostra të reja nga shqiptarë të sotëm.
Shqiptarët ruajtën lidhjen me popullsitë e lashta të Ballkanit
Rezultatet tregojnë se shqiptarët e sotëm rrjedhin kryesisht nga një popullsi e lashtë paleo-ballkanike, e lidhur me banorët e Ballkanit Perëndimor gjatë periudhës së vonë të bronzit dhe asaj të hekurit.
Sipas studimit, kjo vazhdimësi gjenetike është më e fortë te shqiptarët sesa te popullsitë e tjera fqinje të Ballkanit. Gjetjet mbështesin idenë se paraardhësit e shqiptarëve qëndruan relativisht të lidhur me territorin e tyre, pavarësisht pushtimeve, migrimeve dhe ndryshimeve të mëdha që përfshinë rajonin.
Studiuesit identifikuan gjithashtu një individ të shekujve IX–X, të zbuluar në Shtikë të Kolonjës, i cili ka afërsi të madhe gjenetike me shqiptarët e sotëm. Ky zbulim dëshmon praninë në jug të Shqipërisë të një popullsie të afërt me shqiptarët modernë, disa shekuj përpara dokumentimit të parë të gjuhës shqipe.
Sa ndikim sllav ka në ADN-në e shqiptarëve?
Një tjetër gjetje lidhet me përzierjen me popullsitë mesjetare nga Evropa Lindore, të lidhura me migrimet sllave në Ballkan.
Sipas studimit, kjo përbërje ndryshon sipas zonave dhe arrin mesatarisht në rreth 10–20% te shqiptarët e sotëm. Kjo tregon se shqiptarët patën kontakte dhe përzierje me popullsitë e ardhura gjatë Mesjetës, por ruajtën në pjesën mbizotëruese trashëgiminë e tyre të lashtë ballkanike.
Shpërndarja gjeografike e këtij ndikimi përputhet edhe me të dhënat gjuhësore për huazimet sllave dhe emërtimet e vendeve në hapësirat shqiptare.
Gegët dhe toskët kanë të njëjtën origjinë
Analiza shqyrtoi edhe dallimet mes dy grupeve kryesore dialektore të shqiptarëve. Rezultatet tregojnë se gegët dhe toskët vijnë nga i njëjti trung gjenetik, megjithëse kanë ruajtur disa ndryshime rajonale, të krijuara nga vendbanimet dhe kontaktet historike.
Kjo do të thotë se ndarja dialektore nuk lidhet me dy prejardhje të ndryshme, por me zhvillime të brendshme të së njëjtës popullsi.
Çfarë ndodh me tezën pellazge?
Në intervistën për “Dekalog”, Bojaxhiu kundërshtoi pretendimin se shqiptarët rrjedhin drejtpërdrejt nga pellazgët. Ai argumentoi se të dhënat gjenetike i lidhin shqiptarët kryesisht me popullsitë paleo-ballkanike të periudhës së bronzit dhe hekurit, të formuara pas lëvizjeve indoevropiane.
Termi “pellazg”, megjithatë, është historik dhe jo një kategori gjenetike e përcaktuar qartë. Për këtë arsye, gjetjet shkencore duhen lexuar me kujdes: ADN-ja mund të tregojë vazhdimësi dhe përzierje mes popullsive, por nuk përcakton e vetme identitetin, gjuhën apo emrin etnik të tyre./E.P/-dritare.net