Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Jola Hysaj: Erdhën për të shpëtuar Sazanin, por refuzuan ta vizitonin ishullin!

WhatsApp Image 2026-08-22 at 2.30.05 PM.jpeg

Drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Jola Hysaj, ka publikuar një video pas mbërritjes në Vlorë të delegacionit të “Global Sumud Flotilla”, i cili kishte njoftuar se do të mbështeste protestën kundër zhvillimit të mundshëm turistik të Sazanit.

WhatsApp Image 2026-08-22 at 2.46.14 PM (1).jpeg

WhatsApp Image 2026-08-22 at 2.46.14 PM.jpeg

Në videon e publikuar në Instagram, Hysaj tregon se aktivistëve iu ofrua mundësia për të vizituar ishullin dhe për t’u njohur me informacionin zyrtar, por ata refuzuan dhe u nisën drejt Tiranës për t’iu bashkuar “Revolucionit të Flamingove”.

Ja deklarata e plotë e Jola Hysajt:

“ERDHËN PËR TË ‘SHPËTUAR’ SAZANIN. POR NUK SHKUAN AS NË SAZAN.

Unë jam Jola, drejtoreshë e përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit të Shqipërisë.

Po kthehem nga Vlora, ku shkova personalisht në port për të pritur delegacionin e ‘Global Sumud Flotilla’, mbërritja e të cilit ishte njoftuar në Instagram me gjithë solemnitetin që i rezervohet një ekspedite të madhe ndërkombëtare të nisur për të shpëtuar Sazanin.

Por në port, epopeja digjitale, e përcjellë madje edhe nga ANSA, u materializua në një duzinë njerëzish dukshëm të çoroditur, që ngjanin më shumë me një grup të arratisur nga shtëpia sesa me pararojën e revolucionit planetar të paraqitur në rrjetet sociale.

Dhe përballë realitetit të Vlorës dukeshin shumë më pak rehat sesa në pamjet e kuruara me kujdes për Instagramin.

Megjithatë, u pritën me respekt dhe me gatishmëri të plotë institucionale, sepse Shqipëria është një shtëpi e hapur për të gjithë dhe respektuese ndaj të gjithëve.

U ofruam gjithashtu t’i shoqëronim për të vizituar Sazanin, ishullin për të cilin kishin dhënë tashmë një verdikt shumë të rëndë, duke arritur deri aty sa ta krahasonin me Gazën. Donim t’u jepnim të gjithë informacionin në dispozicion dhe t’u krijonim kushtet më të mira për të bërë lirisht çdo pyetje.

Nuk deshën.

Për habinë tonë, na thanë se kishin ndryshuar mendje dhe nuk shkuan në Sazan. Nuk deshën as të ndiqnin paraqitjen e informacionit të përgatitur për ta, por gjithsesi morën dokumentin informues që u vumë në dispozicion dhe njoftuan: ‘Po shkojmë t’i bashkohemi Revolucionit në Tiranë’.

Natyrisht, kjo është e drejta e tyre. Por atëherë le ta quajmë këtë mision me emrin e vet të vërtetë.

Nëse kapërcen detin duke deklaruar se do të shpëtosh një ishull dhe, sapo mbërrin, refuzon edhe ta vizitosh, nuk ke ardhur për të njohur realitetin. Ke ardhur për të vënë në skenë një përfundim të shkruar përpara se të niseshe.

Pamjet e publikuara përpara mbërritjes së tyre e shpjegojnë përsosmërisht skenarin.

Në njërën prej tyre shihet një flamingo e mbështjellë me një kefije palestineze, e shoqëruar me fjalët: ‘Na thirrën, ne u përgjigjëm’.

Kush vallë i paska thirrur?

Sazani është një ishull pa popullsi civile rezidente. Asnjë komunitet i ishullit nuk ka bërë thirrje. Asnjë banor nuk rrezikon të dëbohet nga shtëpia e vet. Flamingot jetojnë në lagunën e Nartës, në tokën kontinentale. Në Sazan nuk është parë kurrë as hija e një flamingoje.

Në pamjen tjetër lexojmë: ‘Nga Gaza në ishullin e Sazanit, toka jonë nuk është në shitje’ dhe ftohemi të mbështesim një të ashtuquajtur ‘Revolucion të Flamingove’, për të cilin askush nuk di gjë.

Por më lejoni t’i them gjërat deri në fund, sepse ky krahasim nuk është i guximshëm. Është grotesk, injorant dhe thellësisht fyes, në radhë të parë ndaj vetë qytetarëve të Gazës.

Në Gazë, një popullsi e tërë ka jetuar për vite ferrin e Hamasit dhe më pas ferrin e luftës, vdekjes, urisë, shkatërrimit dhe shpërnguljes. Në Sazan nuk ka asnjë luftë, asnjë familje nuk është nën bomba, asnjë fëmijë nuk vrapon për t’u shpëtuar rrënojave, asnjë shtëpi nuk është shkatërruar dhe asnjë flamingo nuk pret të çlirohet nga një mision ndërkombëtar me helmeta të kuqe, të gjelbra apo të çfarëdo ngjyre tjetër.

Të vendosësh në të njëjtin plan tragjedinë e pamasë njerëzore të Gazës dhe një diskutim ende krejtësisht të hapur mbi të ardhmen e mundshme të një ishulli shqiptar të pabanuar nuk do të thotë të tregosh solidaritet me Palestinën. Do të thotë të përdorësh dhimbjen e palestinezëve si skenografi emocionale për një fushatë Instagrami, jo vetëm kundër zhvillimit, por edhe kundër njerëzillëkut.

E përdorën dhimbjen e Gazës pa pikë respekti dhe imazhin e Sazanit pa pikë të vërtete.

Dokumenti që u dorëzuam sqaron disa fakte shumë të thjeshta.

Nuk ekziston asnjë marrëveshje me palën private.

Nuk ekziston ende asnjë projekt arkitektonik i përcaktuar apo i paraqitur.

Nuk është shitur as edhe një metër katror i ishullit.

Sazani nuk është nxjerrë kurrë në shitje. Nuk është në shitje sot dhe nuk do të jetë as nesër.

Vetëm nëse fillimisht arrihet një marrëveshje për të vijuar dhe më pas miratohet një projekt turistik, subjekti privat mund të marrë pjesë në nismë. Por nuk do ta blejë Sazanin dhe do të mund të veprojë vetëm përmes një shoqërie të përbashkët, në të cilën shteti shqiptar do të jetë partner.

Shteti nuk do të jetë shitësi i ishullit, por partneri i projektit të mundshëm. Pronësia e Sazanit do të mbetet publike dhe shteti do të marrë pjesë drejtpërdrejt në zhvillimin, kontrollin dhe përfitimet që do të gjenerohen.

Sazani shtrihet në 562 hektarë. Perimetri ku mund të vlerësohet një ndërhyrje e mundshme përfshin 45 hektarë, pak më shumë se 8 për qind të ishullit, ndërsa intensiteti maksimal i zhvillimit nuk mund të kapërcejë 0.25 për qind të sipërfaqes së përgjithshme.

Monumentet natyrore, falezat, zonat më të ndjeshme, Parku Kombëtar Detar dhe sipërfaqja e mbrojtur detare përjashtohen nga çdo zhvillim i mundshëm. Aksesi publik duhet të garantohet dhe çdo ndërhyrje e mundshme do t’u nënshtrohet kushteve mjedisore rigoroze dhe të verifikueshme.

Po të kishin pranuar të shkonin në Sazan, do të kishin parë se ishulli nuk është nën rrethim.

Po të kishin pranuar të dëgjonin, do të kishin mësuar se nuk ekziston asnjë marrëveshje.

Po të kishin parapëlqyer faktet ndaj sloganeve, do të kishin zbuluar se Sazani është shëndoshë e mirë.

Por pse ta lejojmë realitetin të na prishë një karusel të bukur në Instagram?

Gjithsesi, mirë se erdhët në Shqipëri.

Këtu çdokush është i lirë të protestojë, të kritikojë dhe madje të tregojë absurditete. Por, po e përsëris, askush nuk duhet ta përdorë ferrin e përjetuar nga populli palestinez për të fabrikuar një emergjencë të rreme mbi një ishull që këta vizitorë as nuk deshën ta vizitonin.

Rrugë të mbarë drejt Tiranës dhe argëtim të këndshëm me Revolucionin tuaj imagjinar!

Kur më në fund të duan ta shohin Sazanin dhe të njohin faktet, dera jonë do të mbetet e hapur.

Ndërkohë, Sazani mbetet aty ku ka qenë gjithmonë: shqiptar, publik, shëndoshë e mirë.

Nuk është në shitje. Nuk ka qenë kurrë në shitje.”/E.P-dritare.net