Katër gra akuzojnë yllin e Hollivudit, Jared Leto për ngacmime seksuale dhe përdhunim
Dritare.net

Aktori fitues i çmimit Oscar dhe frontmeni i grupit Thirty Seconds to Mars, Jared Leto, është përballur me akuza të rënda për sjellje seksuale të papërshtatshme dhe abuzim, nga katër gra që pretendojnë se ngjarjet kanë ndodhur kur ato ishin adoleshente.
Sipas një dokumentari të publikuar nga BBC, gratë pretendojnë se kanë pasur përvoja traumatike me aktorin mes viteve 2002 dhe 2016, kur Leto ishte në të 30-at dhe 40-at.
Njëra prej tyre thotë se është sulmuar seksualisht në moshën 17-vjeçare në një hotel, ndërsa një tjetër pretendon se Leto e ka kërcënuar me sulm seksual kur ajo ishte 19 vjeç. Një tjetër grua ka deklaruar se ka pasur marrëdhënie seksuale me të kur ishte 17 vjeçe, gjë që sipas ligjit të Kalifornisë mund të konsiderohet përdhunim.
Një tjetër dëshmitare pretendon se aktori e ka joshur kur ishte 16 vjeçe dhe i ka bërë telefonata me përmbajtje seksuale, duke përdorur statusin e tij si personazh i famshëm.
BBC raporton se ka folur me 10 gra në total, nëntë prej të cilave kanë treguar publikisht për herë të parë historitë e tyre. Disa prej dëshmive janë mbështetur edhe nga mesazhe, fotografi dhe persona të afërt që, sipas BBC, ishin informuar për këto ngjarje në kohën kur kishin ndodhur.
Dy ish-punonjës të grupit Thirty Seconds to Mars kanë thënë gjithashtu se ndiheshin në siklet nga mënyra se si Leto sillej me vajza të reja, duke përmendur raste kur ato ftoheshin në prapaskenë pas koncerteve.
BBC deklaron se ka kontaktuar disa herë me Jared Leto për t’i dhënë mundësinë të përgjigjej ndaj akuzave, por ai nuk ka reaguar.
Leto, 54 vjeç, është një nga aktorët më të njohur të Hollywood-it. Ai fitoi çmimin Oscar për aktorin më të mirë në rol dytësor për filmin Dallas Buyers Club në vitin 2014 dhe ka luajtur në filma të njohur si Fight Club, Blade Runner 2049 dhe Suicide Squad. Ai është gjithashtu lideri i grupit rock Thirty Seconds to Mars./dritare.net