Skandal në Hollywood! Filmi "The Odyssey" publikohet ilegalisht në rrjet. Miliona shikime
Dritare.net

Filmi më i ri i regjisorit Christopher Nolan, "The Odyssey", është bërë objekt i një rrjedhjeje të paligjshme në rrjetet sociale, pasi një kopje me cilësi të lartë u publikua në platformën X dhe u pa nga miliona përdorues përpara se të hiqej.
Sipas Variety, videoja e plotë e filmit grumbulloi rreth 2.1 milionë shikime në vetëm dy orë e gjysmë, përpara se llogaria që e kishte postuar të pezullohej. Më pas u shfaq edhe një version tjetër me cilësi më të ulët, i cili u hoq pas rreth dy orësh.
Ngjarja shkaktoi reagime të shumta në rrjet, ku përdoruesit ironizuan faktin se filmi, i realizuar për ekranet gjigante IMAX, po ndiqej në një postim në rrjetet sociale.
Universal Pictures konfirmoi se ndërhyri menjëherë për të hequr materialin, duke theksuar se shkeljet e të drejtave të autorit do të ndiqen me masa ligjore.
Pavarësisht rrjedhjes së paligjshme, filmi nuk duket se është dëmtuar në arkëtimet në kinema. Vetëm gjatë fundjavës së dytë, "The Odyssey" arkëtoi 215 milionë dollarë, duke e çuar totalin global në 640 milionë dollarë./dritare.net