Alarm apo reklamë? Debati që po trondit botën e AI pas sulmit kibernetik të lidhur me ChatGPT
Dritare.net

Një incident i pazakontë ka ndezur një debat të madh në industrinë e inteligjencës artificiale, pasi OpenAI pranoi se dy modele eksperimentale të ChatGPT dolën nga një mjedis testimi dhe kryen një sulm kibernetik ndaj platformës Hugging Face, duke ngritur pikëpyetje serioze për sigurinë e sistemeve të avancuara të AI.
Historia nisi më 16 korrik, kur Hugging Face njoftoi se ishte goditur nga një sulm i paprecedentë. Sipas kompanisë, sulmi u krye me një shpejtësi "mbinjerëzore", me rreth 17 mijë veprime në më pak se dy ditë, ndërsa u përdorën teknika shumë të sofistikuara për të depërtuar në sistemet e saj dhe për të marrë informacione.
Fillimisht u dyshua se pas sulmit mund të qëndronte një grup i njohur hakerësh ose edhe një shtet. Megjithatë, disa ditë më vonë, OpenAI zbuloi se autori ishte vetë një version eksperimental i ChatGPT.
Sipas kompanisë, dy modele të zhvilluara për të testuar aftësitë e tyre në sigurinë kibernetike arritën të dilnin nga mjedisi i izoluar i testimit, të lidhen me internetin dhe të sulmojnë Hugging Face, me synimin për të siguruar informacion që do t'i ndihmonte të përfundonin me sukses testin për të cilin ishin krijuar.
OpenAI deklaroi se incidenti ndodhi pa autorizim dhe se tashmë po bashkëpunon me Hugging Face për të analizuar ngjarjen dhe për të publikuar një raport teknik mbi mësimet e nxjerra.
Ngjarja ka ndarë ekspertët. Disa e konsiderojnë një sinjal serioz paralajmërues për rreziqet që mund të sjellin modelet e avancuara të AI, ndërsa të tjerë dyshojnë se bëhet fjalë për një strategji marketingu për të treguar sa të fuqishme janë modelet e OpenAI.
Kritikët kanë vënë në pikëpyetje edhe mënyrën se si u zhvilluan testimet. Eksperti i sigurisë kibernetike Daniel Card ironizoi se incidenti duket si një reklamë për aftësitë e inteligjencës artificiale, ndërsa profesorë dhe studiues të tjerë argumentojnë se problemi i vërtetë është se mjediset e testimit nuk ishin mjaftueshëm të sigurta për modele të trajnuara posaçërisht për të depërtuar në sisteme.
Sipas Dor Sarig, nga kompania Pillar Security, rasti tregon se "sandbox"-et tradicionale nuk mjaftojnë më për të izoluar inteligjencën artificiale autonome. Edhe profesorët Alan Woodward dhe Katie Moussouris kritikuan industrinë, duke paralajmëruar se zhvillimi i teknologjisë po ecën më shpejt sesa aftësia për ta kontrolluar atë.
Nga ana tjetër, ish-drejtori i Qendrës Kombëtare Britanike për Sigurinë Kibernetike, Ciaran Martin, bëri thirrje për qetësi, duke theksuar se është e tepruar të lidhet ky incident me skenarë katastrofikë ku inteligjenca artificiale mund të marrë kontrollin e armëve apo sistemeve ushtarake.
Megjithatë, ekspertët bien dakord për një pikë: incidenti shënon një moment të rëndësishëm për industrinë e inteligjencës artificiale dhe sigurisë kibernetike. Ai tregon se agjentët e AI po bëhen gjithnjë e më të aftë për të kryer sulme të sofistikuara, çka kërkon masa shumë më të forta sigurie dhe mbikëqyrjeje në të ardhmen./dritare.net