Video/ Momenti kur punonjësja e Kuvendit rrëzohet teksa tenton të ndalojë Shehajn
Dritare.net

Një incident është regjistruar sot në Kuvend gjatë shqyrtimit të marrëveshjes së huasë ushtarake mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku në qendër të vëmendjes është vendosur deputeti Agron Shehaj.
Sipas pamjeve të publikuara nga momenti i ngjarjes, kreu i Partisë Mundësia ka marrë nga ambientet e Kuvendit një dokument konfidencial që lidhej me marrëveshjen prej 302 milionë dollarësh dhe është larguar me të nga salla, pavarësisht kërkesave të stafit të Kuvendit për ta ndaluar.
Një punonjëse e Kuvendit e ka ndjekur pas për të rimarrë dokumentin, por gjatë lëvizjes në shkallë ka humbur ekuilibrin dhe është rrëzuar. Në pamje shihet se ajo ngrihet sërish pas pak çastesh.
Pas incidentit, dokumenti është dorëzuar sërish në Kuvend, ndërsa ngjarja ka shkaktuar reagime politike. Partia Socialiste ka kërkuar marrjen e masave disiplinore ndaj Agron Shehajt, përfshirë përjashtimin nga punimet e Kuvendit për 60 ditë, si dhe ka kërkuar referimin e çështjes pranë Prokurorisë së Posaçme.
Marrëveshja e huasë me SHBA-në, e cila parashikon financim për fushën e mbrojtjes, u miratua më pas në Kuvend me votat e deputetëve socialistë dhe të PSD-së, ndërsa opozita e drejtuar nga PD bojkotoi seancën./K.C/dritare.net