Na ndiqni edhe në

Bota

Nëse duhet, do ta sfidoj Trump-in! Kryeministri britanik: Interesi i Britanisë vjen i pari

Kryeministri britanik Andy Burnham ka deklaruar se është i gatshëm të kundërshtojë presidentin amerikan Donald Trump nëse kjo do të jetë e nevojshme për të mbrojtur interesin kombëtar të Britanisë.

Në intervistën e tij të parë të madhe si kryeministër për BBC, Burnham tha se kishte pasur një bisedë pozitive me Trump, duke e përshkruar atë si një person “shumë të ngrohtë”, por nuk pranoi të thoshte nëse i beson plotësisht presidentit amerikan.

“Është një botë që po ndryshon dhe duhet t’i shohësh gjërat ashtu si zhvillohen”, u shpreh Burnham.

I pyetur nëse do ta kritikonte Trumpin në rast se do të ishte e nevojshme, ai u përgjigj: “Sigurisht”. Sipas tij, një kryeministër duhet të vendosë “interesin kombëtar të Britanisë mbi çdo gjë tjetër”.

Burnham tha gjithashtu se kishte pasur shqetësime për vendimin e Trump për nisjen e konfliktit me Iranin dhe se nuk do të hezitonte të shprehte publikisht qëndrimin e tij.

Në intervistë, kryeministri britanik foli edhe për shpenzimet e mbrojtjes, duke mos dhënë një datë konkrete se kur Britania do të arrijë objektivin për të shpenzuar 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen.

Ai deklaroi se qeveria duhet të sigurojë fillimisht financimin e plotë të planit të investimeve në mbrojtje përpara buxhetit të ardhshëm.

Burnham gjithashtu përjashtoi mundësinë e një zgjedhjeje të parakohshme parlamentare para vitit 2029, duke thënë se qytetarët nuk e dëshirojnë një proces të tillë dhe se prioriteti i tij është “ta rikthejë vendin aty ku duhet të jetë”./dritare.net