Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Foto/ Policia zbulon detajet e operacionit për kapjen e Refit Buzit në Roskovec!

Policia e Shtetit ka zbardhur detaje të reja mbi përfundimin tragjik të ngjarjes në fshatin Vidhisht të Roskovecit. Sipas autoriteteve, pas lirimit të ish-të dashurës së 35-vjeçarit gjatë operacionit policor, negociatorët e RENEA-s vijuan për disa orë përpjekjet për ta bindur atë të dorëzohej. Megjithatë, rreth orës 16:35, i rrethuar brenda automjetit të tij, 35-vjeçari dyshohet se i dha fund jetës me armën e gjahut që mbante me vete. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për të dokumentuar plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.

Njoftimi i policisë

"Roskovec, Fier/Informacion shtesë

Në vijim të informacionit paraprak për ngjarjen e rëndë kriminale të ndodhur në fshatin Vidhisht, Roskovec, ku shtetasi R. B., 35 vjeç, vrau me armë gjahu babanë e ish-të dashurës së tij, plagosi nënën e saj dhe mori peng ish-të dashurën, shtetasen R.P, ju informojmë se: Pas lirimit të saj falë veprimeve profesionale të Policisë, ekipi negociator i RENEA-s, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, nën drejtimin e Prokurorit, vijoi negociatat me 35-vjeçarin, me qëllim bindjen e tij për t'u dorëzuar dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.

Pavarësisht negociatave intensive, të zhvilluara që prej orëve të para të mëngjesit, 35-vjeçari nuk iu bind thirrjeve të Policisë për t'u dorëzuar dhe, rreth orës 16:35, dyshohet se është vetëvrarë me armën e gjahut që mbante me vete, brenda automjetit. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorit, vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale."/K.C/dritare.net