Vetëvritet 35-vjeçari që vrau ish-vjehrrin dhe mori peng ish-bashkëshorten në Roskovec
Dritare.net

Pas disa orësh negociata me forcat speciale RENEA, ka përfunduar tragjikisht ngjarja e rëndë e nisur mëngjesin e së premtes në Roskovec. 35-vjeçari Refit (Nertil) Buzi, i dyshuar për vrasjen e ish-vjehrrit, plagosjen e ish-vjehrrës dhe rrëmbimin e ish-të dashurës, dyshohet se i ka dhënë fund jetës me armën e gjahut që mbante me vete, ndërsa ishte i rrethuar nga policia në zonën e Kurjanit. Pavarësisht përpjekjeve të negociatorëve për ta bindur të dorëzohej, ai nuk iu përgjigj thirrjeve të policisë. Ish-të dashura e tij ishte liruar më herët gjatë operacionit, ndërsa grupi hetimor vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi i Policisë së Shtetit
"Në vijim të informacionit paraprak për ngjarjen e rëndë kriminale të ndodhur në fshatin Vidhisht, Roskovec, ku shtetasi R. B., 35 vjeç, vrau me armë gjahu babanë e ish-të dashurës së tij, plagosi nënën e saj dhe mori peng ish-të dashurën, shtetasen R.P, ju informojmë se:
Pas lirimit të saj falë veprimeve profesionale të Policisë, ekipi negociator i RENEA-s, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, nën drejtimin e Prokurorit, vijoi negociatat me 35-vjeçarin, me qëllim bindjen e tij për t'u dorëzuar dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
Pavarësisht negociatave intensive, të zhvilluara që prej orëve të para të mëngjesit, 35-vjeçari nuk iu bind thirrjeve të Policisë për t'u dorëzuar dhe, rreth orës 16:35, dyshohet se është vetëvrarë me armën e gjahut që mbante me vete, brenda automjetit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorit, vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale"/K.C/dritare.net
