Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Divorci i shekullit/ Miliarderi i teknologjisë do t’i paguajë ish-gruas 644 milionë dollarë


Një nga divorcet më të bujshme në Korenë e Jugut ka marrë një tjetër kthesë. Një gjykatë koreano-jugore ka urdhëruar kreun e gjigantit teknologjik SK Group, SK Group, t'i paguajë rreth 944 miliardë wonë, ose afërsisht 644 milionë dollarë, ish-bashkëshortes së tij Roh Soh-yeong.

Vendimi, i cili ende nuk është përfundimtar, vjen pas më shumë se një dekade përplasjeje ligjore mes miliarderit Chey Tae-won, kryetar i SK Group, dhe vajzës së ish-presidentit të Koresë së Jugut, Roh Tae-woo. Mediat vendase e kanë cilësuar çështjen si “divorci i shekullit”.

Gjykata vendosi për ndarjen e pasurisë mes çiftit, të cilët kishin qenë të martuar për 35 vite, ndërsa martesa e tyre u trondit pasi u bë publike se Chey kishte pasur një fëmijë me një grua tjetër.

Fillimisht, në vitin 2024, një gjykatë kishte urdhëruar Chey Tae-won të paguante një shumë edhe më të lartë, rreth 1.38 trilionë wonë, por ky vendim u rrëzua më pas nga Gjykata e Lartë, e cila argumentoi se disa fonde të përdorura në llogaritjen e pasurisë ishin siguruar në mënyrë të paligjshme dhe nuk mund të konsideroheshin pjesë e pasurisë së përbashkët.

Avokatët e Chey deklaruan se ai “është thellësisht i penduar që procesi i divorcit ka shkaktuar shqetësim te shumë njerëz”, ndërsa shtuan se do të japin një reagim më të detajuar pasi të analizojnë vendimin.

Një perandori teknologjike me ndikim global
SK Group është një nga konglomeratet më të mëdha familjare të Koresë së Jugut, të njohura si chaebol, që kanë një ndikim të madh në ekonominë e vendit.

Grupi zotëron edhe kompaninë e njohur të çipave elektronikë SK Hynix, një nga furnizuesit kryesorë të procesorëve për industrinë e inteligjencës artificiale, përfshirë kompaninë Nvidia.

SK Hynix ka përfituar ndjeshëm nga bumi global i inteligjencës artificiale, duke rritur ndjeshëm vlerën e saj në tregjet financiare dhe duke e kthyer Chey Tae-won në një nga figurat më të fuqishme të biznesit korean.

SK Group nisi aktivitetin në vitin 1953 si kompani tekstilesh, por me kalimin e viteve u zgjerua në sektorët e telekomunikacionit, energjisë, teknologjisë dhe financave. Sot konsiderohet konglomerati i dytë më i madh në Korenë e Jugut pas Samsung Group./K.C/dritare.net