Na ndiqni edhe në

Shëndet

OKB: Një në tre njerëz në botë nuk përballon dot një dietë të shëndetshme

Një në tre persona në botë nuk ka mundësi ekonomike të konsumojë një dietë të shëndetshme, sipas raportit të ri të pesë agjencive të OKB-së për sigurinë ushqimore.

Raporti “Gjendja e Sigurisë Ushqimore dhe Ushqyerjes në Botë 2026” tregon se 2.69 miliardë njerëz nuk mund të përballojnë një ushqyerje të balancuar me fruta, perime, proteina dhe produkte qumështi. Uria globale ka rënë për të tretin vit radhazi, duke prekur 7.8% të popullsisë në vitin 2025, por ekspertët paralajmërojnë se objektivi për eliminimin e urisë deri në vitin 2030 mbetet i vështirë për t’u arritur.

Sipas raportit, një dietë e shëndetshme kushton mesatarisht 4.28 dollarë në ditë për person, një shifër më e lartë se kufiri i varfërisë ekstreme.

Afrika është rajoni më i prekur, ku 66.6% e popullsisë nuk mund të përballojë një dietë të shëndetshme. Për herë të parë, kontinenti ka numrin më të madh të njerëzve që vuajnë nga uria, rreth 309 milionë, duke kaluar Azinë.

Ekspertët kërkojnë investime në bujqësi, infrastrukturë dhe zinxhirët e furnizimit për të ulur çmimet e ushqimeve të shëndetshme dhe për të luftuar rritjen e obezitetit dhe sëmundjeve kronike./K.C/dritare.net