Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ndryshon ligji për Policinë e Shtetit, Lamallari: Fund vakancave dhe emërimeve të zgjatura

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, e cilësoi një hap drejt forcimit të Policisë së Shtetit miratimin në Kuvend të ndryshimeve ligjore që prekin organizimin, drejtimin dhe sistemin e karrierës në këtë institucion. Sipas tij, reforma synon një strukturë më funksionale, vendimmarrje më të shpejtë dhe emërime të bazuara te merita dhe eksperienca.

Postimi i plotë i Ministrit Lamallari në rrjete sociale

"Sot u votuan në Kuvend amendimet e reja në ligjin për Policinë e Shtetit, një reformë që e forcon institucionin, pa prekur parimet mbi të cilat është ndërtuar.

Çfarë ndryshon:

Kapacitet drejtues më i fortë – organizim më i thjeshtë dhe funksional, me zinxhir komandimi të qartë e vendimmarrje të shpejtë

Sistemi i karrierës – rikthehet lidhja mes gradës dhe funksionit drejtues, mbi bazën e meritës dhe eksperiencës

Fund vakancave të zgjatura – institucion me drejtues të përgjegjshëm, pa procese burokratike që zgjasin dhe krijojnë vakum

Administrim më modern i burimeve njerëzore – rregulla më të drejta për transferimet dhe një sistem disiplinor më proporcional

Ruajtja e kujtesës institucionale – përvoja e fituar ndër vite trajtohet si kapital shtetëror, jo privilegj

Në kushtet e sfidave të reja të sigurisë dhe krimit transnacional, Shqipëria ka nevojë për një Polici Shteti më të fortë, më profesionale dhe më afër qytetarëve" shkroi Lamallari./K.C/dritare.net