Video/ Rrezikuan të mbyteshin në det, Policia shpëton familjen me tre fëmijë në Himarë
Dritare.net

Pesë anëtarë të një familjeje u shpëtuan nga Policia Kufitare në Himarë, pasi rrezikuan të mbyteshin në det kur mjeti i tyre lundrues pësoi defekt për shkak të motit të keq. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së martës pranë plazhit të Jalës, ku ndërhyrja e shpejtë e efektivëve bëri të mundur nxjerrjen e tyre në breg në gjendje të mirë shëndetësore.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, rreth orës 22:30 është kërkuar ndihmë për një mjet lundrues që kishte mbetur në det, pasi kishte pësuar defekt si pasojë e kushteve të këqija atmosferike.
Menjëherë në operacion u angazhuan shërbimet e Policisë Kufitare me mjetin e tyre lundrues. Pas kërkimeve në det, efektivët lokalizuan mjetin ku ndodheshin pesë persona, një çift bashkëshortësh dhe tre fëmijët e tyre.
Familja u transportua drejt Pikës së Kalimit Kufitar Himarë, ku rezultoi në gjendje të mirë shëndetësore. Sipas policisë, ata falënderuan efektivët për reagimin e shpejtë dhe profesional që shmangu pasoja të rënda.
Policia Kufitare apelon për respektimin e rregullave të lundrimit, përdorimin e pajisjeve të sigurisë dhe shmangien e lundrimit në kushte të rrezikshme atmosferike./K.C/dritare.net