GJKKO do të shqyrtojë kërkesën e Veliajt për hetim ndaj “Nesti Angonit”, çështja kalon te gjyqtari Erion Çela
Dritare.net

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) do të shqyrtojë kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për nisjen e një hetimi penal ndaj personazhit anonim të njohur si “Nesti Angoni”, mbi dokumentin e të cilit SPAK hapi hetimet ndaj tij.
Veliaj kërkon që “Nesti Angoni” të hetohet për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve, por më herët Prokuroria e Tiranës vendosi të mos regjistrojë procedim penal. Sipas organit të akuzës, nga verifikimet rezultoi se “Nesti Angoni” nuk figuron në regjistrin e Gjendjes Civile, ndërsa theksoi se nuk ka kompetencë të vlerësojë apo kontrollojë hetimet e zhvilluara nga SPAK.
Pas këtij vendimi, kryebashkiaku e ankimoi çështjen në Gjykatën e Tiranës.
Më 15 korrik, kjo gjykatë shpalli moskompetencën dhe vendosi që dosja t’i kalojë për shqyrtim Gjykatës së Posaçme.
Çështja do të shqyrtohet nga gjyqtari i posaçëm Erion Çela, ndërsa ende nuk është caktuar data e seancës së parë./dritare.net