Dosja e hetimit zbardh minutë pas minute sherrin në Ksamil: 6 minuta nga përplsja te largimi i të dyshuarit
Dritare.net

Vetëm rreth gjashtë minuta kanë zgjatur përplasjet fizike të 18 gushtit në Ksamil, ku humbi jetën turisti portugez 20-vjeçar Luis Miguel Varela Mendes. Pamjet e kamerave të sigurisë, pjesë e dosjes hetimore dokumentojnë minutë pas minute zhvillimet jashtë ambienteve të lokalit “Principotes”.
Sipas materialeve të dosjes, ngjarjet nisin në 05:14:24, kur nga ambientet e “Principotes” dalin disa shtetas të huaj dhe qëndrojnë në pjesën e jashtme të plazhit “Paradise”. Mes tyre identifikohen Luis Mendes, Ibrahim Lemoie, Sudae Akmahmat dhe Florian Cetina.
Rreth një minutë më vonë, në 05:15:22, në zonë afrohen David Heuertvent dhe Sokrat Lipan, i njohur edhe si Sokrat Vata.
Në 05:16:39, sipas përshkrimit të pamjeve në dosje, Vata përplaset fizikisht me një prej personave dhe më pas largohet drejt shezllonëve. Vetëm pak sekonda më vonë, ai ndjek një person tjetër drejt parkimit.
Në 05:16:54, kamerat tregojnë Vatën duke vrapuar në drejtim të Ibrahim Lemoie, i cili përplaset me shezllonët dhe bie në tokë. Sipas dosjes, Vata e godet.
Momenti që përfshin drejtpërdrejt Luis Mendes ndodh në 05:17:14. Portugezi 20-vjeçar afrohet dhe e shtyn me trup Vatën, i cili bie në tokë. Pas ngritjes, sipas hetimit, Vata i afrohet Mendes dhe nis ta godasë.
Në 05:17:20, sipas pamjeve të përshkruara në dosje, David Heuertvent i bashkohet Vatës në përplasjen me Mendes. Në atë moment afrohet edhe Sudae Akhmat, i cili ndërhyn në konflikt.

Ndërkohë, një tjetër përplasje zhvillohet mes Serxhi Selimit dhe Ibrahim Lemoie. Nga 05:17:35 deri në 05:17:46, kamerat, sipas dosjes, fiksojnë Selimin duke goditur me grushte Lemoie.
Në përpjekje për t'u larguar nga përplasja, Luis Mendes futet në det.
Por konflikti vijon. Në 05:17:53, Mendes del nga ana jugore e plazhit dhe afrohet te zona ku ndodhen kamarierët. Sipas dosjes, aty ai goditet me grushte dhe shtyhet sërish në det.
Në 05:18:04, portugezi del nga uji dhe ecën drejt shezllonëve të “Paradise”. Në pamje, sipas përshkrimit të hetuesve, ai shihet me bluzën e bardhë të gjakosur.
Gjashtë minuta pas nisjes së konfliktit, në 05:18:24, David Heuertvent largohet drejt ambienteve të brendshme të “Principotes”. Sipas dosjes, edhe ai kishte njolla gjaku në pjesën e përparme të veshjeve dhe tentonte t'i pastronte.
Ndërsa në 05:20:28, Sokrat Lipan alias Vata largohet nga zona, i shoqëruar nga kamarieri Igli Cekani. Në pamjet e përshkruara në dosje, Vata shihet me bluzën e bardhë të gjakosur.
Dëshmia e DJ-së: “Më ço në spital, nxito”
Një tjetër element i dosjes është dëshmia e DJ-së së lokalit, Armand Zeneli. Sipas dëshmisë së tij, pas ngjarjes Vata i është drejtuar duke i kërkuar ta çonte në spital.
Zeneli ka deklaruar para hetuesve se Vata ishte i mbuluar me gjak dhe mbante dorën poshtë bluzës, në pjesën e barkut.
DJ-ja tregon se pasi e mori në makinë dhe u nisën drejt qendrës shëndetësore të Ksamilit, Vata i kërkoi të ndalonte në një rrugë me kalldrëm. Sipas dëshmisë, ai zbriti zbathur nga automjeti dhe, disa metra më tutje, Zeneli pa të dyshuarin duke hedhur me forcë diçka.
Pas kësaj, sipas dëshmisë së DJ-së, ai u largua dhe më vonë telefonoi policinë, duke ofruar ndihmë për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit.
Hetimi vijon për të përcaktuar rrethanat e plota të përplasjes, rolin e secilit person të përfshirë dhe lidhjen mes goditjeve të dokumentuara në pamjet filmike dhe vdekjes së turistit portugez.
Shënim: Të gjithë personat e përmendur në kuadër të hetimit prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.