Takimi në Pogradec, Rama: Reflektim për sezonin e ri politik!
Dritare.net

Pas takimit me drejtuesit politikë të qarqeve, kryeministri Rama ka ndarë një video nga Pogradeci, teksa dielli perëndon dhe bën një përmbledhje të asaj që ndodhi brenda mbledhjes.
Diskutimet kanë qenë për ‘Besën’, ‘Praninë Besnike’, komunikimin e qeverisë me qytetarin, si dhe për Pasqyrë Albania, platforma ku çdo shqetësim do të reflektohet dhe ndiqet në kohë reale.
Nga Pogradeci, kur dielli po perëndon mbi liqen, aty ku Lasgushi gjente frymëzimet e veta magjepsëse dhe aty ku ne u përpoqëm të mbledhim së bashku reflektimet e një periudhe pushimesh aktive, të lidhur me sezonin e ri politik, kemi diskutuar për “Besën”, kemi diskutuar për praninë besnike; kemi diskutuar për ekosistemin e ri të komunikimit të qeverisë, jo në kuptimin thjesht të komunikimit publik, por të komunikimit me qytetarin; kemi diskutuar edhe për pasqyrën unike, “Pasqyrë Albania”, ku qytetarët do të kenë të pranishme të gjitha institucionet dhe ku ambicia është që, më herët se vonë, të arrijmë pikën që çdo kërkesë, çdo shqetësim, çdo hall i qytetarit drejtuar institucioneve të jetë si një pako postale, statusi i së cilës ndiqet në kohë reale nga dërguesi dhe, nga ana tjetër, shteti, qeveria, institucionet ndjekin përgjegjësitë dhe çdo shkelje afati shihet me lupë”, tha Rama.