Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Gjykata e Lartë publikon listën përfundimtare të kandidatëve për KLGJ, zgjedhjet më 25 shtator

Gjykata e Lartë ka shpallur listën përfundimtare të kandidatëve që do të garojnë për t'u zgjedhur anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), pas përfundimit të procesit të verifikimit të kushteve ligjore, në zbatim të ligjit nr. 115/2016 "Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë".

Procedura e kandidimit ishte hapur më 26 qershor 2026 dhe synon përzgjedhjen e një gjyqtari nga gjykatat e shkallës së parë, një gjyqtari nga gjykatat e apelit dhe një gjyqtari nga Gjykata e Lartë për anëtarë të KLGJ-së.

Sipas njoftimit zyrtar, kandidatët që plotësojnë kushtet ligjore janë:

Arbena Ahmeti – Gjykata e Lartë
Sandër Simoni – Gjykata e Lartë
Igerta Hysi – Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar
Fatri Islamaj – Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë
Matilda Llangozi – Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë
Brunilda Kadi – Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë
Manjola Xhaxho – Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë
Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve, ku do të zhvillohet procesi i zgjedhjes së anëtarëve të rinj të KLGJ-së, është caktuar të mbahet më 25 shtator 2026, në orën 10:00.