Alarm nga AKU: Mos e konsumoni këtë pije!
Dritare.net

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka urdhëruar tërheqjen nga tregu të një pijeje të importuar nga Italia, pasi është ngritur alarmi për një rrezik të mundshëm për konsumatorët. Sipas njoftimit të AKU-së, bëhet fjalë për aperitivin pa alkool “Pizzolato Spritz aperitivo 0.0”, për të cilin autoritetet gjermane kanë raportuar praninë e mundshme të copëzave të xhamit në shishe.
Shqipëria është përfshirë në procedurat e ndjekjes përmes sistemit evropian të alarmit të shpejtë për ushqimin dhe ushqimin për kafshë (RASFF). Produkti është eksportuar nga kompania PETER RIEGEL WEINIMPORT GMBH dhe është importuar në Shqipëri nga operatori Jurrei.
AKU u kërkon qytetarëve që e kanë blerë këtë produkt të mos e konsumojnë, por ta kthejnë në pikën e shitjes, për të shmangur çdo rrezik të mundshëm për shëndetin. Autoriteti bën të ditur se po monitoron situatën dhe po ndjek të gjitha procedurat e nevojshme për garantimin e sigurisë ushqimore./K.C/dritare.net