Alarm për stuhi të fuqishme në Ballkan, Kosova në rrezikun më të lartë! Po Shqipëria?
Dritare.net

Një përkeqësim i ndjeshëm i motit pritet të përfshijë Ballkanin gjatë orëve të ardhshme, ndërsa sinoptikanët evropianë paralajmërojnë për zhvillimin e stuhive të rrezikshme në disa vende të rajonit.
Sipas Qendrës Evropiane për Parashikimin e Stuhive (ESTOFEX), rreziku më i lartë është vlerësuar për Kosovën, Malin e Zi, jugun e Bosnjë-Hercegovinës dhe jugun e Kroacisë, ku është shpallur alarmi i Nivelit 3. Shqipëria është përfshirë në Nivelin 1 të rrezikut, çka nënkupton mundësinë e stuhive lokale me intensitet të lartë.
Ekspertët paralajmërojnë se masat e paqëndrueshme ajrore mund të krijojnë superqeliza dhe sisteme të fuqishme stuhish, të shoqëruara me breshër të përmasave të mëdha, reshje intensive dhe erëra me shpejtësi të konsiderueshme. Në zona të izoluara ekziston edhe mundësia e shfaqjes së tornadove.
Parashikimet tregojnë se stuhitë mund të nisin mbi territorin italian dhe më pas të zhvendosen drejt Adriatikut e Ballkanit Perëndimor, duke prekur rajonin deri në orët e para të së mërkurës.
Ndërkohë, alarm i Nivelit 2 është lëshuar për pjesë të Italisë, Rumanisë dhe Bullgarisë. Meteorologët u bëjnë thirrje qytetarëve të ndjekin njoftimet e autoriteteve dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat ku pritet përkeqësimi i motit./K.C/dritare.net