Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Çfarë po ndodh? Facebook, Instagram dhe Messenger nuk funksionojnë

Probleme me funksionimin janë regjistruar pasditen e kësaj të mërkure në platformat e Meta-s, duke prekur mijëra përdorues të Facebook, Instagram dhe Messenger në disa vende. Shumë prej tyre kanë raportuar vështirësi në hyrjen në llogaritë e tyre, si edhe probleme me dërgimin dhe marrjen e mesazheve në Messenger.

Sipas platformës DownDetector, e cila monitoron në kohë reale ndërprerjet e shërbimeve online, janë regjistruar qindra raportime për keqfunksionime të aplikacioneve të Meta-s, përfshirë edhe nga përdorues në Greqi. Problemet duket se kanë nisur rreth orës 14:30, duke prekur si versionet web, ashtu edhe aplikacionet në telefon.

Deri tani, Meta nuk ka dhënë një reagim zyrtar mbi shkakun e ndërprerjes apo kohën kur shërbimet do të rikthehen plotësisht. Ndërkohë, përdoruesit vijojnë të raportojnë vështirësi në aksesimin e platformave dhe në përdorimin e disa prej funksioneve kryesore. Kjo është ndërprerja e dytë e raportuar brenda pak ditësh për shërbimet e kompanisë./K.C/dritare.net