Na ndiqni edhe në

Moti

Bashkia Vlorë apel qytetarëve dhe pushuesve: Kujdes, moti përkeqësohet të premten

Bashkia e Vlorës ka lëshuar një apel për qytetarët dhe pushuesit, duke paralajmëruar se dita e premte mund të shoqërohet me përkeqësim të motit. Sipas parashikimeve meteorologjike, priten reshje intensive, stuhi lokale dhe erë e fortë, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje të shmangen lëvizjet e panevojshme dhe të tregohet kujdes i shtuar në plazhe e në det.

Njoftimi i Bashkisë Vlorë

"Sipas parashikimeve meteorologjike, ditën e premte territori i Bashkisë Vlorë mund të ndikohet nga fenomene të pazakonta atmosferike, me reshje intensive, stuhi lokale dhe erë të fortë. Këto ndryshime të menjëhershme të motit kërkojnë vëmendje dhe kujdes të shtuar nga të gjithë qytetarët dhe vizitorët.

U bëjmë thirrje banorëve të shmangin lëvizjet e panevojshme, të mos qëndrojnë pranë pemëve apo strukturave të pasigurta dhe të tregojnë kujdes maksimal në plazhe dhe në det.

Të mos ndezin zjarre në ambiente të hapura, pyje, kullota apo pranë bimësisë së thatë. Temperaturat e larta dhe era favorizojnë përhapjen e shpejtë të flakëve, duke rrezikuar jetën, pronën dhe mjedisin.

Njoftoni shërbimet e emergjencës për çdo situatë që mund të paraqesë rrezik.

Numrat e emergjencës:

Zjarrfikësja – 128
Policia – 129
Urgjenca – 127", thuhet në njoftim./K.C/dritare.net